E Shtunë, 31 Tetor 2026

Populli im vulëhumbur



Pano TAÇI

Populli im vulëhumbur

Mos ma shani popullin tim maskara,
Shiko se bëhet njëra,
Paçka se sot maska i ra
Që dramat i luan komedi të tëra.

Mos ma shani popullin tim të pacipë,
Kujdes, të thyen dhëmbë e dhëmballë,
Paçka se pas flokëve, te honi në zgrip,
Nuk di si mbahet, vdekur a gjallë.

Mos ma shani popullin tim teveqel,
Kujdes, se do gjeni belanë,
Paçka se këtu ujku në vathë delet i mjel
Përpara se t’u pijë gjakun që kanë.

Mos ma shani popullin që i bje gjoksit,
Kujdes, se me kallash t’ju qëllojë s’përton,
Paçka se nga qulli u dogj e i fryn kosit,
Ai prapëseprapë për rrenacakët voton.

Mos ma shani popullin që merr flakë si kashtë,
Kujdes, se tym ju nxjerr nga sytë,
Paçka se është populli më i lashtë,
Nuk beson ç’i psallin mbi fron mbretëritë.

Mos ma shani popullin tim të përhumbur,
Popullin tim vulëhumbur.

Ndërrim gjaku

Prill çapkën e ti Maj pusht,
Trokit, hyr me përdëllim...
ǒndjenja kam m’i bëj prush
T’i kall zoçkës flakërim.

Prill çapkën e ti Maj pusht,
Trokit, hyr në përmallim...
Bëj të gjej një vërë të ngushtë
T’i jap pleqërisë kuptim.

E pangjarë

Sythet e kobit të zi,
Degë e dhimbjes m’i mban.
Te ky gjoks, o Perëndi,
Sythi sythit nuk m’i ngjan.

Te një skutë thellë në gji,
Shpirti gungaç më qan,
Zemra ma thotë me Oi:
Brenga brengës nuk i ngjan.

Qepa

Paçka se jam kufomë e gjallë,
Do marr një grua kur të vdes,
Me nderim në varr të më kallë,
Ndryshe pa kallur do të mbes.

Për testament ia lë një qepë,
Ta shtrydhë që lot t’i nxjerrin sytë,
Kur t’ia shohin syrit në cep
lotin, do thonë e qau me shpirt.

Për ç’heq e vuaj

Po iki, e di, s’kthehem më,
Nga jeta një të mirë s’pashë.
Nuk di për mall pas nëse lë,
Një fjalë të çiltër që thashë.

Po iki ku ikin të gjithë,
Pa pritur e pa kujtuar,
Me botën e përtejshme më lidh
Një mall që më djeg në kraharuar.

Po iki dhe pse shumë gjëra
Pa bërë nga pas do t’i lë,
Dëgjoj nga qielli shumë zëra,
Të nënës e dalloj mbi çdo zë.

Do iki siç ikën çdo shpirt
Siç më iku edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal t’ia shoh sytë,
Mes syve që i vinin rrotull hënës.

Zambakët rreth varrit ia mbolla,
Ku emrin me lot ia gdhenda,
Nga qimiri ta zgjoj, u lodha...
Të gjallë ma mban zemra brenda.

Do iki nuk kam më se ç’pres,
Për ç’heq e vuaj them të vdes.

Ik e jak

Te buza e varrit do më presin,
Kufomat kalbur ndënë dhè,
Që shoqërojnë ata që vdesin,
Në një humbellë diku atje.

Uën ik e jak, m’u gjakos udha.
I bërë hi për ç’isha shpuzë,
Me ballin mbuluar me rrudha,
Me mërmërimë honesh mbi buzë.

Dëgjoj skeletet të më thonë,
- ǒtë bën që ti mendjen ta prish,
që vjen e ikën e s’guxon,
te varri yt me gaz të hysh?

A s’je kufomë që tremb të gjallin?
Për gjallë një fjalë askush s’ta thotë,
Eja, hyr, na shuaj mallin,
Si nuk t’u rënd e zeza botë?!

Ju them: me ç’di, unë kam vdekur,
Po që të vij te ju kam frikë,
Se do më tallni për ç’jam përpjekur
Që të gjallin,
Lëkurëdjallin
S’e bëra mik.

Jam lodhur kot me dashuri
Ta bëja zap
Botën e prapë,
Te buzë e varrit ku bëj të hyj
Këmba më shtang, pas kthehem vrap.

Në mëhallën e qenve

Te bregu i lumit dhomën ma dhanë,
Me mëhallën e qenve zabërhanë,
Streha ku rroja dhunshëm m’u prish,
Që ditën e parë kur qentë më panë,
m’u sulën të më hanë,
U ngjaja kockë pa mish.

I thashë komshiut rom, si ta bëj zap
Këtë shpurë qenësh të babëzitur,
Që më bëjnë t’ia mbath me vrap
Tek turren të më hanë, të uritur?

Arixhiu më tha: Gaxho, të shpëtosh
Një torbë me kocka bli në pazar,
Si mik shpërndajua që t’i lezetosh
E do shohësh se do gjesh karar.

Bëra romi siç më tha,
Një trastë me kocka çdo ditë blej,
Sa më shohin bishtin tundin ata,
E unë dashurinë ua ndiej,
Si plak zabërhan më mbajnë për vëlla.

Gërsheta

Lumi kridhet nëpër valë,
Hëna këputet mbi rrush
Jashtë kuis një qen i çalë
Tek sheh si përgjon një galë,
Romi gotën plot ma mbush.

Tek këndoj, tek ha e pi,
Ia thotë melodisë gërneta.
Shikoj si vallëzon karshi
Romen që më vret me sy,
Mbi gji i shplekset gërsheta.

Pa nis e pëshpëris ngadalë,
Pa më vënë re askush:
-Hidhu, moj, të qofsha falë,
dridhe, moj, belin si ngjalë,
ǒke që ma mbush zemrën prush?

Vështrimi plot farfuri,
Që shkarë ma hedh lastarblerta,
Më shtang përhumbur kur rri,
Ndiej në fyt një ngërç të zi,
Se ma merr frymën gërsheta.

Lodhje pa fund

E lodha veten duke u grindur me vete,
Më lodhën miqtë dhe unë miqtë i lodha,
E lodha dhe më lodhi durimi i kësaj jete,
E lodha cigaren që sytë m’i nxjerr kolla.
U lodh toka në bosht duke u vërtitur,
Hënë e lodhur çdo natë zbehet më shumë.
I lodha e më lodhën dyert që kam trokitur,
Të zbusja ca dhembjet që poshtë më vunë
E kudo më përzunë. Dhe udha m’u lodh,
Dhe fundi pa fund.
I lodha e më lodhën netët pa darkë,
Më lodhën e i lodha trotuaret gjithkund
Ku jam ulur si një deng leckash pa markë.
Dhe fjala m’u lodh në të plasurën buzë,
Dhe buza m’u lodh nga fjala që s’u dëgjua.
Tani buza m’u hiros si vatër pa shpuzë,
Në shpellat e gjoksit Murg fjala m’u ngujua.
Kjo botë e lodhur për në ç’botë na shtegton,
Tek lodhim ç’na lodh çdo gjë që na rrethon...

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›