E Diel, 1 Nëntor 2026

“E vetmja rrugë” po e shndërron PS-në në një parti-zombie

15-08-2011 / Redaksionale

E vetmja rrugë e ka shpurë Partinë Socialiste në një udhëkryq politik. Ajo gjendet sot e ndalur  përballë një semafor të kuq, pa kurrfarë ideje se çfarë do të bëjë me t’u hapur drita jeshile e sesionit të ri parlamentar. Edi Rama ka thënë se do ta kthejë PS në Parlament, edhe protesta në rrugë do të ketë. Kësisoj opozita pritet të jetë sërish pasagjere pasive në autobusit socialist të drejtuar nga shofer Edi Rama. Këtij të fundit nuk i flitet me gojë, pasi është e ndalur t’i flitet me gojë shoferit, edhe pse ky e ka futur autobusin në një rrugë dytësore.
Megjithëse dalja nga autostrada e reformave integruese ka qenë një sipërmarrje e dëmshme jo vetëm për sistemin social shqiptar, por edhe për opozitën që ka shterur të gjitha energjitë në bojkot, protesta, grevë urie dhe demonstrata të dhunshme, që në fund janë kanë pasur një shumë me minus. Këtë fakt e kanë kuptuar shumë ekspertë të politikës, që llogarisin 140 mijë vota më shumë të  maxhorancës, si një kapital të rëndësishëm për ekuilibrat politikë.
Sakaq mund të duket që vëmendja është përqendruar tek opozita dhe jo tek qeveria. Sigurisht PS-ja paraqet formalisht forcën më të madhe opozitare dhe si e tillë duhet të përfaqësojë oponencën ndaj politikave të qeverisë, por kur kjo harron të përfaqësojë votuesit e saj, dikush duhet ta shkundë dhe ta pickojë. Dhe Partia Socialiste ka nevojë për një pickim të fortë, që të kuptojmë nëse kjo parti është gjallë apo është kthyer në një parti të mbushur plot me “zombie”, të vdekur që ecin.
Për metaforë “zombie-t”, të vdekurit që ecin janë të rrezikshëm edhe në politikë, dhe këtë e dinë të gjithë. Dhe për të vrarë një zombie me patjetër duhet t’i presësh kokën, sepse edhe me një këmbë apo me një dorë janë në gjendje të të infektojnë. Nuk bëhet marrëveshje dhe as paqe me një të vdekur që ecën, zombie. Nëse i jep dorë, ai është gati ta kafshojë. Është natyra e tij.
Përtej metaforës, Edi Rama është në krye të Partisë Socialiste dhe forcës opozitare për të pasur një alternativë, një ide dhe program opozitar me qeverinë, dhe jo të shpikë “kurse” të reja, sipas modeleve të revolucionit kulturor kinez. Kinezëritë e vjetra, me ambalazhe të sofistikuara janë të tejkaluara në debatin pragmatist shqiptar. Leksionin pragmatist të qytetarëve të Tiranës, që zgjodhën ndryshimin e administratës së punëve të kryeqytetit dhe jo gjallimin e një institucioni patericë të Partisë Socialiste duhet ta ketë kuptuar edhe Edi Rama.
E vetmja rrugë e Partisë Socialiste është dalja nga izolimi, dhe rikthimi në autostradën e reformave konstruktive në drejtësi, në sistemin elektoral dhe në plotësimin e 12 pikave të Bashkimit Europian.  Për të dhënë mesazhin se është e aftë të ketë një Bashkëpunim europian me forcat politike, dhe jo për një përjashtim komunist dhe bashkim fals rreth kryetarit, Partia Socialiste duhet të hapë kanatat për të marrë pak ajër të pastër, të largojë ajrin e ndenjur të xhaketave të vjetra.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›