E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I parakohshëm debati për Presidentin, duhen reformat”

15-08-2011 / Gazeta 55

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, apelon për nisjen e dialogut politik për reformën zgjedhore

Kur duhen edhe dy javë nga nisja e sesionit të ri parlamentar, Lëvizja Socialiste për Integrim i ka bërë edhe një herë thirrje partive politike të nisin punën për reformën zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama tha se puna për reformën zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe e bazuar në rekomandimet e ndërkombëtarëve.
“Është një sfidë, realizimi i reformës zgjedhore dhe përballë kësaj sfide do të duket edhe angazhimi, vullneti dhe gatishmëria reale për të kontribuar të gjithë së bashku, mazhorancë e opozitë, partitë të ashtuquajtura të mëdha e të vogla, dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të bëhen pjesë e këtij angazhimi dhe këtij kontributi, e cila vjen edhe në përputhje me rekomandimet dhe sugjerimet e faktorit ndërkombëtar, u shpreh Rama, duke theksuar se, në realizimin e reformës duhet të merren parasysh të gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve”.
Në këtë këndvështrim ai foli edhe për bojkotin e opozitës në parlament duke shpresuar rikthimin e saj në kuvend në fillim të shtatorit, ku siç tha “bashkë me pushimet të kenë pushuar edhe mendjet e politikave të mbrapshta që frymëzojnë bojkotin institucional”.
Në kohën kur mandati i kreut të shtetit mbaron pas një viti, LSI i cilëson shterp debatet për zgjedhjen e emrit të presidentit të ri. Sipas Luan Ramës diskutimet janë të pavend kur presidentin është në krye të detyrës.
Ndërkaq, ai theksoi gjithashtu se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të ketë edhe ndryshime nga radhët e përfaqësimit të LSI-së në kabinetin qeverisës. Kjo sipas Ramës do të bëhet pas një analize të plotë të punës që do të bëjë LSI. “Ndryshimet nuk janë tabu. Një forcë politike vitale, si LSI ndryshimin e ka në të gjithë angazhimin e vet në funksion të gjithçkaje që lidhet me interesat politike e elektorale”, deklaroi më tej sekretari i Përgjithshëm i LSI-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›