E vlefshme veç fitorja

Të dielën do të zhvillohet java e 31-të e Superligës së Kosovës në futboll, me ndeshjen kryesore që zhvillohet në Gjakovë, ku takohen Vëllaznimi dhe Trepça 89’.
Që të dy këto skuadra janë në garë për titull dhe në këtë takim nuk kanë se çka kalkulojnë, pasi çdo rezultat negativ për secilën prej tyre do të thotë humbje e gjasave për titull.
Kapiteni i skuadrës gjakovare, Atdhe Gashi, ka thënë se skuadra e tij është shumë mirë e përgatitur për këtë takim, dhe se vetëm fitorja është e rëndësishme. “Ne jemi të përgatitur 100 për qind për këtë takim dhe vetëm fitorja është e rëndësishme”, tha kapiteni i Vëllaznimit për Express.
Në anën tjetër, trajneri i Trepçës 89’, Veton Çitaku, është shprehur optimist për takimin kundër Vëllaznimit, pasi tha se nëse dëshirojnë që të bëhen kampionë, atëherë duhet që t’i mposhtin të gjithë.
“Ne për këtë takim jemi përgatitur shumë, si psikikisht, si fizikisht. E dimë se në Gjakovë do ta kemi shumë të vështirë, pasi Vëllaznimi ende është në garë për titull, por ne shkojmë vetëm për fitore, se ndryshe nuk mund të bëhemi kampion”, tha trajneri i ‘Xehetarëve’.
Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në kryeqytet, ku lideri i tabelës Prishtina e pret skuadrën gjilanase, Dritën. Prishtina në fund të këtij kampionati është në formë të shkëlqyeshme, pasi në katër xhirot e fundit, ka shënuar katër fitore, me një bilanc prej 18:6, ndërsa Drita në katër xhirot e fundit ka shënuar dy fitore, një barazim dhe një humbje.
Po ashtu, mjaft interesante do të jetë edhe gara ndërmjet skuadrave që po luftojnë për t’i ikur pozitës së dhjetë që dërgon në barazh, ku më të rrezikuarat janë Trepça, Liria dhe Lepenci.
Superliga – xhiroja e 31’të
E diel
Drenica –KEK’u
Lepenci – Gjilani
Trepça –Besa
Liria - Hysi
Prishtina - Drita
Vëllaznimi - Trepça 89
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 17:00