Lushtaku synon t’i harrojë ditët e errëta

Pas Valdet Ramës, edhe Kushtrim Lushtaku po kalon nëpër një periudhë të vështirë te skuadra suedeze, Orebro, ku ishte transferuar në dimër të vitit 2011 nga skuadra gjermane, München1860.
Në krahasim me sezonin e kaluar, kur ishte titullar thuajse në të gjitha ndeshjet, këtë sezon ish-sulmuesi i Drenicës ka përfunduar në bankinë. Jo vetëm kaq, Lushtaku ishte suspenduar nga klubi për arsye disiplinore pasi ishte zënë nëpër klube të natës, para ndeshjes.
Por në mesjavë, Lushtaku më në fund i është rikthyer fushës pas, një kohe të gjatë, pasi luajti disa minuta në humbjen e Orebros nga Gefle 1:2. “Unë dua të luaj dhe do ta ndihmoj ekipin sa më shumë që mundem”, ka thënë 22-vjeçari për ueb faqen suedeze www.na.se.
“Pa dyshim ka qenë një ndjenjë e madhe që të jem përsëri në fushë. Por dëshira ime është që të luaj nga fillimi pasi është e vështirë të stërvitësh dhe mos të aktivizohesh”, ka theksuar reprezentuesi i Kosovës.
Punët hiq më mirë nuk i ka as Valdet Rama. Sulmuesi kosovar, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar në elitën e futbollit suedez (Allsvenskan), këtë sezon ka përfunduar në bankinë. I pakënaqur me tretmanin, mitrovicasi ka paralajmëruar largimin nga Orebro gjatë verës.
Këtij ekipi, gjatë dimrit i janë bashkuar edhe dy futbollistë shqiptarë. Ish-mbrojtësi i FC Prishtinës, Ilir Berisha dhe mesfushori tetovar, Armend Alimi.
I pari ka zhvilluar vetëm një ndeshje në Allsvenskan, derisa i dyti për shkak të një lëndimi ende nuk ka arritur të debutojë me ekipin e ri.