E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë befasitë e Evropianit

Fazat finale të një gare të rëndësishme ndërkombëtare gjithmonë sjellin befasi të mëdha. Historia e Evropianit ka sjellë rezultate të paparashikueshme. Këto janë pesë ndeshjet me rrjedhën më të befasishme në histori të garës.

5. Holanda-Rusia 1:3 — 22/06/2008 — Çerekfinale

Leksion i futbollit nga mjeshtëri i madh, Guus Hiddink. Pasi kishte befasuar të gjithë në Kampionatin botëror 2002, kur udhëhoqi Korenë e Jugut deri në çerekfinale të garës, e më pas Australinë më 2006 deri në fazën eliminatore, strategjia e tij më 2008 e dërgoi Rusinë në gjysmëfinale të Evropianit. Ndeshja më e mirë e rusëve ishte pa dyshim ajo kundër Holandës, të cilën e mposhtën 3-1, pas lojës shtesë. Golat u shënuan nga Pavlyuchenko, Torbinski dhe Arshavin. Tulipanëve nuk u mjaftoi goli nga Van Nistelrooy.

4. Gjermania-Republika Çeke 2-1 — 30/06/1996 — Finale

Finalja e parë e vendosur me golin e artë. Viktimë e dënimit më të rëndë ishte Republika Çeke që dukej se po shkonte drejt historisë në Wembley, por u mposht në mënyrën më të vrazhdët nga i pafalshmi Oliver Bierholl. I inkuadruar në lojë në minutën e 69-të, kur Gjermania ishte në disavantazh 1-0, sulmuesi barazoi rezultatin pas vetëm katër minutave, kurse ia solli trofeun Gjermanisë duke shënuar golin e fitores në lojën shtesë, golin e artë. Shënim ky që ia shoi ëndrrën Republikës Çeke, kurse ia solli Gjermanisë titullin e parë kontinental, pas rrëzimit të Murit të Berlinit.

3. Çekosllovakia-Gjermania Perëndimore 2-2 (5-3 me penallti) — 20/06/1976 – Finale

Holanda e Neeskensit dhe Cruyffit, Gjermania Perëndimore, kampione e botës në fuqi, e udhëhequr nga Franz Beckenbauer, konsideroheshin si favoritë për të triumfuar në Kampionatin evropian 1976. Askush nuk kishte besuar se për titull do të luftojë Çekosllovakia e Vaclav Jezekut. Ata krijuan epërsi 2-0 pas më pak se gjysmë ore lojë, Gjermania reagoi dhe arriti të barazojë duke dërguar duelin në lojën shtesë, e më pas në penallti. Nga njëmbëdhjetëmetërshat, triumfuese doli Çekosllovakia, që fitoi titullin e saj të parë dhe të vetëm kontinental.

2. Danimarka-Gjermania 2-0 — 26/06/1992 – Finale

As Hans Christian Andersen, shkrimtari më i famshëm danez nuk do të ishte në gjendje të shkruajë një tregim kaq interesant dhe të jashtëzakonshëm sikur ai që i ndodhi Danimarkës më 1992. Skuadra e udhëhequr nga Moller Nielsen, në Evropian nuk duhej të ishte fare, pasi nuk u kualifikua. Por, konflikti në Ballkan i mundësoi asaj të marrë pjesë në vend të Jugosllavisë. Danimarka arriti deri në finale, ku befasoi Gjermaninë 2-0, epilog i papërsëritshëm.

1. Portugalia-Greqia 0-1 — 04/07/2004 — Finale

Tregimi i tregimeve. Greqia, pa asnjë yll në skuadër, por me një grup të bashkuar dhe të aftë të shkaktojë befasitë më të mëdha në futboll, e realizoi më të madhen dhe atë kundër Portugalisë së favorizuar, skuadër e cila ishte në ndjekje të titullit të saj të parë në praninë e tifozëve vendas. Njësoj sikurse në duelin inaugurues të garës (Portugalia-Greqia 1:2), djelmoshat e trajnerit Otto Rehhagel ishte e aftë që sërish të befasojë portugezët. Një gol me kokë nga Charisteas në minutën e 57-të, pas një goditjeje nga këndi ia solli Greqisë titullin dhe hyri në histori si triumfi më i befasishëm në një Evropian.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›