Bajrami, i lodhur nga lëndimet

Emir Bajramin nuk po e lënë rehat lëndimet. Mesfushori kosovar po lëndohet shpesh, sidomos në periudhën kur po ka angazhime me Kombëtaren suedeze. Ai ndihet i frustruar për këtë fakt.
Rasti i fundit ishte ai i së premtes së kaluar, kur Suedia u mposht nga Hungaria. Futbollisti i Twentes përfundoi në tribunë, pasi që stafi mjekësor skandinav nuk deshi të rrezikonte.
“Erdhëm në përfundim se më mirë ishte të ulesha në tribunë për atë ndeshje, pasi që ndieja dhimbje në këmbë”, tha Bajrami për ueb faqen fotbollsexpressen.se. “Nuk arrija t’u rezistoja dhimbjeve dhe lutesha tërë kohën që të më kalonte. Më duket se sa herë që vij këtu (në Kombëtare), kam problem me diçka”, shtoi ai.
Ai thotë se mund ta shpjegojë faktin se si Suedia e humbi lojën me Hungarinë, edhe pse ishte përgatitur mjaft mirë për këtë sfidë. Sidoqoftë, ish futbollisti i Elfsborgut ndihet i gatshëm për ndeshjen e sontme, ku Suedia do të ballafaqohet me San Marinon.
“Të shohim se si do të shkojnë punët në stërvitje. Gjërat po shkojnë më mirë tash”, vazhdoi Bajrami. Suedisë i nevojitet gjithsesi fitorja ndaj San Marinos, për të shpresuar në kualifikim në Euro 2012.