E Diel, 1 Nëntor 2026

E zë gjumi në timon aksidentohet për vdekje shqiptari nga Maqedonia

TIRANE- Gjumi në timon duke drejtuar automjetin duket se ka “vrarë” në një aksident rrugor shqiptaro-maqedonasin Iniz Ajeti. 43-vjeçari ka dalë nga rruga rreth mesnatës duke gdhirë dita e djeshme, teksa lëvizte me automjetin e tij tip “Peugot” me targa të Tetovës, TE 996 DF. Shqiptari nga Tetova ishte i vrari i dytë në aksidentet rrugore në Tiranë, ndërsa më herët ishte goditur për vdekje nga një automjet, e moshuara 74-vjeçare Gjyslyme Lamaj, e cila kalonte nga njëra anë në anën tjetër të rrugës, në Bathore. Aksidenti i shqiptaro-maqedonasit ka ndodhur në autostradën Tiranë-Vorë, pranë kilometrit të shtatë. Automjeti i Ajetit ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar në një kanal në krahun e djathtë. Policia dhe ekipet e Urgjencës së Tiranës i dhanë ndihmën e parë të aksidentuarit, por ai ka ndërruar jetë pak pasi ka mbërritur në Spitalin Ushtarak, si pasojë e plagëve të rënda të marra nga përplasja. Në vendin e ngjarjes shkuan shërbime të Komisariatit të Policisë Rrugore dhe ekspertë të aksidenteve. Burime policore thanë për Gazetën se, nga hetimet paraprake rezulton se ka qenë vetë drejtuesi Ajeti, të cilit i ka dalë mjeti nga kontrolli dhe për pasojë është rrëzuar në kanal. Të njëjtat burime thanë se dyshojnë se Ajetin mund ta kishte zënë gjumi teksa ishte duke drejtuar makinën, pasi vendi ku ai ka dalë nga rruga nuk ka qenë me ndonjë kthesë të fortë apo të rrezikshme.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›