“E.Çabej”, studentët josistematikë një muaj në auditorë

Muaji shkurt pritet të rikthejë në auditorë studentët e universitetit “Eqrem Çabej”. Senati akademik pranë këtij institucioni ka marrë një vendim të tillë, pasi grupe të caktuara studentësh nuk arrijnë të ndjekin mësimin online, si shkak i mungesës së internetit sikurse ka dhe nga ata që hyjnë pjesërisht. Për 3-4 javë kjo kategori studentësh, apo kushdo tjetër që ka dëshirë, do të kenë mundësi të përvetësojnë programet lëndore në të dyja nivelet e studimit duke u paraqitur fizikisht, bën të ditur rektori Bektash Mema.
“Mësimi online nuk mund të zëvendësojë asnjëherë, mësimin në auditorë. Kjo sepse ka grupe studentësh që për arsye të mungesës së internetit, sidomos në zonat rurale, por jo vetëm nuk arrijnë të hyjnë në procesin mësimor. Ka dhe grupe të tjera studentësh që futen pjesërisht. Natyrisht që kjo krijon një problem, që ne po mundohemi ta zbutim nëpërmjet përcjelljes së leksioneve online te studentët dhe i kushtojmë vëmëndje që të rritet puna e pavarur e tyre. Por përsëri ka vështirësi sidomos te vitet e para, të cilat nuk kanë orientimin e duhur për punën e pavarur që duhet të bëjë studentët. Ne mendojmë, që së afërmi, edhe kjo në përputhje me vendimin e senatit akademik, të fillojë procesi i mësimit në auditorë. Po merren të gjitha masat që auditorët të jenë gati duke respektuar të gjitha masat anticovid. Universiteti i Gjirokastrës i ka të gjitha kapacitetet për këtë pjesë. Në prag të përfundimit të semestrit të parë mendojmë t’i kthejmë studentët në auditorë për 3-4 javë. Do të kryhen leksione përgjithësuese, sidomos për ata që nuk kanë marrë pjesë në procesin online, seancë seminaresh përgjithësuese, sikundër të zhvillohen edhe laboratorë, ushtrime etj. Kjo do të jetë mënyra më e mirë që ne të arrijmë drejt një përvetësimi të programeve lëndore në të dyja nivelet e studimit.” – sqaron rektori Bektash Mema.
Universiteti i Gjirokastrës ofron 35 programe studimi në të dyja ciklet, bachelor e master.