‘Mastercard’ goditet nga hakersat anonimë që mbështesin “Wikileaks”
Mbështetësit e Julian Assange dhe të sajtit të themeluar prej tij, ‘Wikileaks’, kanë kryer dje sulme ndaj sajtit të ‘Mastercard’. Ai ka qenë një ndër sajtet objektiv të sulmeve të një grupi hakersash, të cilët janë zotuar që të përndjekin ato firma dhe kompani që ia kanë ndërprerë shërbimet e tyre ‘Wikileaks’ ditët e fundit për shkak të presioneve të ndryshme.
‘Mastercard’, e cila ndaloi procesin e kryerjes së pagesave për sajtin e ‘Wikileaks’, tha se sulmi nuk ka pasur ndikim tek klientët e saj dhe mundësia e përdorimit të shërbimeve të kompanisë. Kompanisë ‘Wikileaks’ dhe drejtuesit të saj, Julian Assange i ka ardhur mbështetje nga një drejtim i papritur, ministri i Jashtëm i Australisë, vend që po shqyrton ndjekje penale ndaj tij. Ministri i Jashtëm australian, Kevin Rud, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ishin përgjegjëse për botimin e paautorizuar të mijëra mesazheve diplomatike amerikane. "Unë kam qenë vazhdimisht konsistent lidhur me atë se ku qëndron përgjegjësia kryesore në gjithë këtë çështje. Kjo përgjegjësi qëndron në ofrimin e paautorizuar të këtyre dokumenteve nga personeli amerikan", - tha zoti Rud. "Kjo që po ndodh është një test edhe për vetë sistemin amerikan të drejtësisë, çështja e përgjegjësisë që kanë personat që e përhapin më pas këtë informacion është në planin e dytë", - tha ministri australian. Megjithatë, ai nuk e mbështet përhapjen e këtyre informacioneve konfidenciale. "Mendimi im për këtë është se përhapja e këtyre informacioneve është shumë e gabuar". Këto komente të ministrit të Jashtëm australian, Kevin Rud, ishin në kundërshtim me deklaratat e kryeministres së vendit, Julia Gillard, e cila e quajti zotin Assange një njeri krejtësisht të papërgjegjshëm. Julian Assange po mbahet në një burg në Londër, në pritje të përfundimit të procedurës së ekstradimit në Suedi. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur një sërë sulmesh ndaj ‘Wikileaks’, Assange, dhe madje edhe mediave që kanë pranuar që të publikojnë materialet e ‘Wikileaks’. Senatorja demokrate, Diane Feinstein, nga Kalifornia kërkon, në një koment në gazetën konservatore “Wall Street Journal”, që themeluesi i ‘Wikileaks’, Julian Assange të akuzohet mbi bazën e një ligji spiunazhi të vitit 1917. Assange, shkruan Feinstein, nuk është gazetar, por një "agjitator, i cili ka për qëllim të dëmtojnë qeverinë tonë, sepse ai nuk e pranon politikën e saj". Senatori i pavarur, Joe Lieberman, nga Konektikati, madje shkon më tej duke kërkuar edhe hapjen e hetimeve kundër “New York Times”, njëra nga gazetat që i ka në dispozicion 250 000 telegramet sekrete të ‘Wikileaks’ dhe prej një jave raporton mbi përmbajtjen e tyre. Në televizionin konservator ‘Fox News’, Lieberman tha: "Nëse nuk ngremë padi kur njerëzit kryejnë akte penale, atëherë të tjerë do të imitojnë, dhe kam frikë se këtu po ndodh pikërisht kjo gjë".