Propozohet ngritja e mbikalimit, kosto 30 milionë euro
"Afrimi i zgjedhjeve vendore e ka shtuar presionin e palëve politike për Bashkinë e Durrësit. Projektet për investimet publike në Durrës kalojnë nëpër një varg kundërshtish nga anëtarë të KRRT-së së bashkisë, duke shtyrë në kohë zbatimin e tyre. Përtej kërkesës për pajisjen e çdo rasti me relacionin përkatës, që mungon disa prej ndërhyrjeve mund të konsiderohen humbje kohe përmes zvarritjeve të shumta. Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, njëherazi edhe kryetar i KRRT-së, ka reaguar në mbledhjen e djeshme ndaj qëndrimit kundërshtues të anëtarëve të djathtë në këtë organ, qëndrim që mban peng investime të rëndësishme, siç është ai i rrugës paralel me portin detar. “Një gjë e tillë nuk ndodh me lejet e ndërtimit të kërkuara nga privati. Projekti për ndërtimin e rrugës është më i mirë, në të gjithë parametrat, i bërë nga kjo bashki, po edhe i 100 viteve të fundit në infrastrukturën rrugore të Durrësit, e po merr kundërshtimin më të madh. Qyteti, njerëzit duan rrugën, ju jo”, tha Dako. Ndërtimi i rrugës së re pritet t’i japë fund trafikut të rënduar rrugor, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Përplasjet e mëparshme mes bashkisë dhe portit detar janë zhvendosur tashmë në terma teknikë që kanë lidhje me zgjidhjen e lëvizjes tek Ura e Dajlanit, pika fundore e kësaj rruge që do të nisë pranë hyrje-daljes së portit. Do të jetë kjo zgjidhje që do të përcaktojë edhe koston reale të krejt rrugës. Fillimisht projektuesit e kishin menduar me semafor, një zgjidhje që nuk e kalon vlerën e 1-2 mijë euro, ndërkohë që është propozuar edhe ndërtimi i një rrethrrotullimi ose mbikalimi. Ky i fundit do të kërkonte një investim prej 30 milionë eurosh. Dako kërkoi të miratohet pjesa e parë e projektit që të nisin punimet për ndërtimin e rrugës e më pas të vendoset nëse lëvizja fundore do të rregullohet me mbikalim, semafor apo rrethrrotullim. Anëtarët e djathtë, nuk ranë dakord, duke kërkuar diskutimin në një tryezë ekspertësh, ku do të marrin pjesë dhe drejtues të qarkullimit rrugor. Debati nuk mungoi as në ndryshimin e zgjidhjes teknike të themeleve të objektit njëkatësh, që po ndërtohet rrëzë xhamisë, në kuadër të rivitalizimit të sheshit kryesor të Durrësit nga pilota në një pllakë 80 cm, ndryshim i kërkuar nga Instituti Kombëtar i Monumenteve për të mos dëmtuar nëntokën arkeologjike. Anëtarët e djathtë që përbëjnë shumicën në KRRT kërkuan relacionin përkatës nga firma zbatuese mbi qëndrueshmërinë e objektit që de facto është i realizuar. Edhe dy pikat e tjera të rendit të ditës për sa u përket investimeve publike u shtynë për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Ndërtimi i një godine të re universitare mori miratim për lejen e sheshit, por jo të ndërtimit, ndërsa CEZ u spraps, pasi nuk kishte paraqitur asnjë dokument për kërkesën e vendosjes së kabinave elektrike në ish-kënetë.