E Shtunë, 31 Tetor 2026

ENCIKLOPEDIA ANTISHKENCORE DHE E POLITIZUAR

Vëmendja dhe përkushtimi i studiuesve shqiptarë të Tiranës, Prishtinës e Shkupit, për problemet themelore të historisë, gjuhës e kulturës së popullsisë shqiptare të trevës së Maqedonisë ka qenë në vazhdimësi objekt i kërkimeve e studimeve po në përshtatje me kushtet e mundësitë. Këtë gjë e dëshmon më së miri simpoziumi që u mbajt më 20-22 dhjetor 1991 në Medresenë "Isa Beu" në Shkup, me temë "Shqiptarët e Maqedonisë".

Simpoziumi u thirr me nismën e Shoqatës së Arsimtarëve të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, si edhe të Medresesë "Isa Beu" të Shkupit. Vlen të kujtoj një moment që e kam të vështirë ta përshkruaj. Paraditen e datës 20 dhjetor 1991, d.m.th para fillimit të seancës, kur referuesit ishin të preokupuar për mbajtjen e kumtesave dhe salla ishte plot gjallëri nga pjesëmarrësit e shumtë, drejtori i medresesë dhe organizatorët kryesorë të simpoziumit ishin shumë të shqetësuar, ishin në ankth, nëse autoritetet shtetërore do të ndërhynin e të shpërndanin pjesëmarrësit me pretekstin se mbajtja e simpoziumit nuk ishte lejuar zyrtarisht. Në rast se do të pengohej mbajtja e simpoziumit në ambientet e medresesë, ai do të zhvillonte punimet në kodrat e qytetit. Por të habit fakti që edhe pas 18 vjetësh të ekzistencës së Maqedonisë shtet sovran e i pavarur, të botohen vepra enciklopedike, që shtrembërojnë historinë, e në vend të afrimit e mirëkuptimit midis bashkësive etnike, krijojnë tensione që nuk i shërbejnë askujt. Ato ndotin ambientin e shëndoshë intelektual.

Në simpozium u mbajtën rreth 80 referate e kumtesa dhe u bënë shumë diskutime nga studiuesit pjesëmarrës nga Shkupi, Tirana e Prishtina. Me mbështetjen financiare të Meshihatit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë dhe me një përkushtim nga redaksia, e përbërë nga studiues e specialistë prof. dr. Masar Kodra, prof. dr. Kristaq Prifti, dr. Jani Thomai, dr. Muzafer Korkuti, prof. dr. Remzi Nesimi, dr. Ali Vishka, z. Bahri Aliu dhe z. Ramadan Sinani, në vitin 1994 u bë e mundur botimi i akteve të simpoziumit në gjuhën shqipe, me përmbledhje të referateve e kumtesave në anglisht dhe mban titullin "Shqiptarët e Maqedonisë", Shkup 1994, në një vëllim prej 651 faqe.

Kanë kaluar 18 vjet nga mbajtja e kësaj veprimtarie shkencore shumë të rëndësishme, si nga përmbajtja dhe nga koha kur u zhvillua, ndaj vlen të kujtojmë se qysh në momentin e parë që shqiptarët e Maqedonisë po shikonin dritën e lirisë së mendimit, e mundësinë për të shprehur publikisht në gjuhën amtare, kur po tentohej të hapej universiteti i parë në gjuhën shqipe, organizuan mbajtje simpoziumi "Shqiptarët e Maqedonisë". Ai shënon një moment historik, sepse në atë tubim shkencor u shpalosën kontribute të pazëvendësueshme në ndriçimin e historisë së shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta etnike në Maqedoni. Ishte hera e parë që problemet etno-kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë u shtruan e diskutuan në mënyrë të gjithanshme e nga shumë këndvështrime, nga specialistë e studiues të fushave të ndryshme. Ai ishte në fakt, një kongres, një Konferencë Albanologjike që u mbajt në Shkup, pas atyre të zhvilluara vite më parë në Tiranë e Prishtinë, në një qendër të re (sot Tetova) të studimeve shqiptare. Nuk ishte rastësi, por rrjedhojë logjike, që Tirana-Prishtina e Tetova, këto tri qendra të studimeve shqiptare, të cilat përkojnë plotësisht me trevën, djepin ku nga lashtësia në ditët tona ka një vazhdimësi banimi nga e njëjta popullsi.

Në veprimtari të tilla parësore, meritë të veçantë ka organizatori dhe drejtuesi i saj prof. dr. Masar Kodra, i cili në fjalën hyrëse ndër të tjera tha: "Simpoziumi të cilin e kemi emërtuar ‘Shqiptarët e Maqedonisë‘ do të dëshironim të kuptohet si një fjalë e lirë që shpartallon errësirën, të pavërtetën dhe shpërndan mjegullën dhe kapërcen pengesat. (Këto pohime janë 11 muaj pas shpalljes së Maqedonisë si shtet i pavarur). Dhe më tej, në zbërthim të qëllimit e thelbit shkencor të simpoziumit shkruan:

"Pikëpamja se shqiptarët e Maqedonisë paskan ardhur në trojet e tyre nga fundi i shek. XVIII është e huazuar nga historiografia serbomadhe e nxitur nga borgjezia serbe e gjysmës së dytë të shek. XIX. Dhe këto pikëpamje antishkencore janë kultivuar gjatë gjysmë shekulli, që paraqet fazën më të rëndë të kthesave, të përpëlitjeve, të rënieve dhe të ngritjeve si fazë që nuk kalohet lehtë, pa tronditje, ndërsa ne, të gjetur përballë saj, vumë në provë vitalitetin historik të popullit tonë. Tek e fundit ky është një vitalitet i vyeshëm dhe thelbësor për shqiptarët në përgjithësi, qoftë në vendin tonë, qoftë në Jugosllavinë e paqenë, qoftë në Maqedoni". Nga ky pohim i prof. M. Kodrës dëshmohet se ajo që thuhet sot në Enciklopedinë e Maqedonisë se shqiptarët kanë ardhur nga malet në shek. XVIII, është huazuar nga historiografia serbomadhe e një shekull e gjysmë më parë, fakt mjeran për autorët e enciklopedisë që nuk njohin e përfillim arritjet e kërkimeve e studimeve të bëra gjatë njëqind vjetëve të fundit.

Referatet e kumtimet e botuara në vëllimin "Shqiptarët e Maqedonisë", janë rezultat i studimeve të mirëfillta shkencore. Ato hedhin dritë në aspektet më të rëndësishme të historisë politike, etnike e kulturore të popullsisë shqiptare në trevat e tyre amtare. Në të trajtohen probleme të jetës shpirtërore e të kulturës materiale të popullit shqiptar në Maqedoni, nga kohët më të lashta e deri në ditët tona. Gjetjet arkeologjike, të dhënat historike e gjuhësore për kulturën ilire dhe të arbërve në trevat e Ohrit, në Pelagoninë e lashtë, në zonën e Shkupit e në vise të tjera, përbëjnë një dëshmi të pakundërshtueshme të autoktonisë së popullsisë shqiptare të Maqedonisë së sotme si paraardhëse e ilirëve dhe të lidhjeve të saj me kulturën ilire të viseve perëndimore bregdetare, si edhe me popujt e tjerë fqinjë.

Periudha mesjetare ndriçohet nga një dokumentacion i pasur kryesisht i periudhës osmane dhe si e tillë ajo përbën një urë ndërlidhëse, që provon vazhdimësinë historike dhe etno-kulturore midis popullsisë ilire të këtyre trevave dhe trevave të tjera shqiptare. Në këtë vëllim një vend të veçantë zënë temat e historisë së re e të sotme që trajtojnë probleme të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, qëndresën e popullsisë së këtyre trevave kundër pushtuesve të huaj, të periudhave të ndryshme, me luftën e shqiptarëve të Maqedonisë për liri e të drejta kombëtare. Një vend të rëndësishëm zënë punimet nga fushat e gjuhësisë, të letërsisë, të etnografisë, të onomastikës, të arsimit, të folklorit gojor, të muzikës dhe kulturës popullore në përgjithësi.

Të dhënat e shumta historike, etnike e kulturore, analiza shkencore dhe përfundimet objektive që u arritën, flasin qartë për një popullsi shqiptare, kompakte dhe autoktone në trojet e veta që në kohë të lashta në vijimësi historike, gjuhësore e kulturore, me tipare themelore kombëtare, që nuk e kanë veçuar dot nga hapësira etno-kulturore gjithëkombëtare as kufijtë politik izolues e as forca ndikuese e gjuhës dhe e kulturës së sunduesve të huaj. Kështu mbështetur në studime interdisiplinore vërtetohet se trevat shqiptare në Maqedoni janë vijim gjeografik, etnik, historik, gjuhësor e kulturor i viseve të tjera shqiptare në trojet e përbashkëta e të lashta ilire në kuptim të gjerë.

Në vazhdim të vlerave shkencore të vëllimit "Shqiptarët e Maqedonisë" e në përgjigje të shtrembërimeve të qëllimshme që i bëhen çështjes së origjinës së ilirëve e shqiptarëve të Maqedonisë, e quaj të nevojshme t‘i rikujtoj autorëve të enciklopedisë atë që kam botuar në aktet e simpoziumit (fq.21 e 22) të mbështetur në studimet e arkeologëve jugosllavë të botuara në vitet ‘60-‘70 të shek. të kaluar. Arkeologu maqedonas V. Lahtov, autor i zbulimit të varrezës së madhe të Trebenishtit që gjendet në kufirin lindor të shtrirjes së ilirëve (në afërsi të Ohrit), në konkluzionet e veprës së tij për "Kulturën e Trebenishtit" shkruan: "Mund të nxirret përfundimi se mbajtësit e kulturës së Trebenishtit kanë qenë fise ilire jugore, të cilët kryesisht banonin edhe hapësirën e shtetit maqedonas" (V.Lahtov, Ptroblem Trebeniške Kulture, Ohrid 1965, f. 175). Kurse akademiku e arkeologu i njohur serb, Milutin Garashanin, duke trajtuar problemin e përkatësisë etnike të bartësve të kulturës së tumave Orllovo Çuka e Radanje (Maqedoni Lindore) shkruan: "Përkatësia etnike e bartësve të kësaj kulture nuk ndesh në vështirësi përcaktimi. Vetë zakoni i varrimit në tuma, ne të dy këto raste flet për përkatësinë ilire, e cila vërtetohet edhe nga inventari kulturor". (M.Garašanin, Nekoi problemi na Makedonskata praistorija, në "Macedonia Acte Archeologica", I, 1975, f. 16).

Për mesjetën e hershme arbërore me vlerë të veçantë janë zbulimet e bëra në Shwn Erazm, si dhe disa objekte të gjetura në Radolisht po në rrethinat e Ohrit. Këto objekte të përshkruara e botuara në katalogë, kanë të gjitha karakteristikat e objekteve të kulturës arbërore të Komanit, që provojnë pa mëdyshje praninë e kulturës arbërore (shek. VI-VIII pas Kr.) në zonën rreth liqenit të Ohrit. Kjo është krejtësisht e kuptueshme dhe e shpjegueshme, mbasi në këtë trevë banonte fisi ilir i dasareteve (shih. S. Anamali, në vëllimin e simpoziumit, f.37).

Nga sa munda të parashtroj kam bindjen se aktet e simpoziumit të Shkupit "Shqiptarët e Maqedonisë" kanë vlera shkencore dhe aktuale që vepra të ribotohet në shqip dhe mundësisht të përkthehet edhe në gjuhë të huaj. Gjithashtu do t‘u sugjeroja redaksive të gazetave kryesore që dalin në Tiranë, të mos mjaftohen me deklaratat e këtyre ditëve të para, por, të hapin një rubrikë kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë, ku të botohen të paktën përmbledhjet e 64 kumtesave që janë përfshirë në këtë vëllim e në vazhdim edhe shkrime të tjera.

Duke vlerësuar rëndësinë shkencore e politike të trajtimit më të plotë e më të thelluar të historisë social-politike, kulturore e gjuhësore të shqiptarëve të Maqedonisë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të bëhet nismëtare, që në bashkëpunim me institucione, studiues e specialistë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova e më gjerë, të organizojnë mbajtjen e një simpoziumi tjetër (të dytë) me temë "Shqiptarët e Maqedonisë".

* Zv/kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›