Berisha kërkoi dy vjet më parë rishkrimin e historisë
Historia e Shqipërisë do të shkruhet nga e para. Këtë paralajmërim bëri Kryeministri Sali Berisha në mes të vitit 2007 kur krijoi Qendrën e Studimeve Albanologjike. Berisha u bëri thirrje historianëve dhe studiuesve të vendit që të rishikojnë historinë e Shqipërisë, në mënyrë që shqiptarëve t‘u thuhet e vërteta mbi të dhe që nxënësit në shkollat tona t‘i mësojnë ngjarjet historike ashtu siç kanë ndodhur në të vërtetë. Berisha tha se nuk ka asnjë më të papranueshme s sa të falsifikosh aktin e pavarësisë kombëtare të vendit. "Nuk ka asgjë më të papranueshme, sesa të falsifikosh aktin e pavarësisë kombëtare, të fshish me gomën e turpit emrat e atyre që firmosën pavarësinë, duke e bërë këtë vetëm për verbëri ideologjike, për të zëvendësuar baballarët e pavarësisë dhe të pluralizmit me komitë e kaçakë, të cilët nuk kanë asnjë vlerë. Nuk mund të ecet duke mbajtur të falsifikuar aktin e shpalljes së pavarësisë kombëtare. Nuk mund të ecet duke zëvendësuar Mithat Frashërin, këtë burrë të madh të kombit me komitë", tha Berisha. Kryeministri vlerësoi faktin se Lufta Nacionalçlirimtare është një faqe e ndritur në historinë e kombit shqiptar, gjë që nuk vihet në diskutim nga askush, por ai theksoi se është jashtëzakonisht i rëndë abuzimi monstruoz që është bërë mbi këtë luftë dhe bunkerizimi i historisë dhe të vërtetave historike të kombit. "Mund të jemi i vetmi komb që ende nuk mund të njohim historinë. Nëse diku mund të mendohet se kjo nuk na intereson, për të mos thënë ndonjë tjetër se kjo na turpëron, sepse sigurisht po t‘i nxjerrësh gjërat jashtë kontekstit të kohës mund të dalin ndryshe, por shqiptarët nuk kanë pse të mos e vlerësojnë historinë e tyre dhe arritjet, dështimet, sukseset, disfatat, në mënyrë që ajo të bëhet gjithnjë e më shumë racionale", deklaroi në atë kohë Kryeministri.