E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE: Konstatuam fatura abuzive, i kërkuam OSSH të kompensojë qytetarët

Më 19 Shkurt, ERE i kërkoi publikisht OSSH të dëmshpërblejë qytetarët e faturuar në mënyrë abuzive

Pas një trajtimi të gjatë e të hollësishëm në gazetën SOT, grabitja e madhe që CEZ-OSSH po u bën qytetarëve shqiptarë, duket se më në fund ka rënë edhe në sytë e institucioneve përgjegjëse, të cilave u takon me ligj të mbajnë nën kontroll ekuilibrat konsumator-OSSH. Skandali i fundit i OSSH, i cili ua ka faturuar qytetarëve energjinë e dhjetorit me çmimin rritur të muajit janar, ka zënë dhe do të vazhdojë të zërë edhe gjatë ditëve të ardhshme një hapësirë

të konsiderueshme në gazetën tonë, duke qenë se kjo kompani e huaj, që prej privatizimit prej saj jo vetëm nuk po u shërben siç duhet qytetarëve shqiptarë, por madje po i vjedh çdo ditë e më shumë me mënyra nga më të paskrupulltat. E megjithëse qytetarët anembanë vendit janë ankuar prej dy muajsh se fatura e dhjetorit të vitit 2009 dhe janarit të vitit 2010 u ka mbërritur 2-3 herë më e lartë se ajo e muajve paraardhës, OSSH ka luajtur rolin e të paditurit bashkë me ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, ku që të dy janë kujtuar vetëm ditën e djeshme që deklarojnë publikisht se do të hetojnë mbi faturat e këtyre 2 muajve dhe sipas tyre, nëse gjenden abuzime, qytetarët do të dëmshpërblehen. Për hir të së vërtetës duhet thënë se i vetmi institucion që ka reaguar ndaj këtij problemi, ka qenë Enti Rregullator i Energjisë, i cili i ka kërkuar rreth 2 javë më parë OSSH që të dëmshpërblejë qytetarët, ndaj të cilëve është abuzuar me faturat e energjisë. Më 19 shkurt të këtij viti, ERE i ka kërkuar zyrtarisht OSSH që të kompensojë qytetarët, të cilëve muaji dhjetor u është faturuar me çmimin e muajit janar, pra me çmimin e rritur me 13 për qind nga OSSH. Nga disa verifikime që ka bërë ERE, rezulton se disa nga faturat janë faturuar me çmim abuziv. Për këtë arsye, ERE i ka kërkuar OSSH-së të dëmshpërblejë të gjithë qytetarët, tek të cilët verifikohet se është abuzuar me faturimin e energjisë elektrike. Për shumë qytetarë faturat e energjisë elektrike kanë pasur vlera shumë të larta dhe shumë prej tyre ngrenë pretendimin se nuk kanë konsumuar aq sa është faturuar. Nga 1 janari i këtij viti energjia elektrike faturohet me një çmim 13 për qind më të lartë se në vitin 2009. Kjo është një ndër arsyet se pse faturat e muajit shkurt për shumë qytetarë janë dukur shumë të larta, ndonëse nga verifikimet e ERE-s janë vërtetuar shumë raste abuzimi.

Abuzimet e OSSH, në dy muaj 6 mijë ankesa
Vetëm dy muajt e parë të vitit 2010, numri i ankesave për OSSH ka shkuar në 6 mijë. Ankesat e qytetarëve janë dorëzuar vetëm përgjatë periudhës Janar dhe Shkurt dhe në to paraqiten ankesa të muajve të fundit për fryrje të faturave dhe abuzimeve nga ana e punonjësve, por nuk përjashtohen edhe pakënaqësitë që kanë ndaj ndërmarrjes apo edhe për dëmtimin e matëseve të energjisë. Numri i ankesave është shtuar së tepërmi për rritjen e energjisë dhe fryrjen e faturave të muajit janar, të cilat janë llogaritur me rritjen e çmimit. Me qindra janë ankesat e qytetarëve që kërkojnë verifikimin e kilovatëve të shënuar në faturë me ato që realisht tregojnë matëset. Burime nga OSSH kanë pohuar për gazetën se drejtuesit e saj po marrin në shqyrtim çdo ankesë por për të shumtat e tyre është e pamundur veprimi. Disa prej ankesave janë të adresuara për faturistët e zonës së tyre, të cilët, sipas qytetarëve, i shënojnë kilovatët pa e parë fare sahatin dhe këtë e bëjnë për të shmangur humbjet që ka në zonat e tyre. Një tjetër pikë problematike është edhe shpërndarja e faturave, ku qytetarët ankohen se atyre nuk u shkon fatura në shtëpi dhe kur shkojnë në filialet e OSSH atyre u jepet vetëm një copë letër ku shkruhen kilovatët, me anë të së cilës mund të kryejnë derdhjen. Burime nga drejtoria e OSSH në Tiranë kanë pohuar për gazetën se vetëm në dy muajt e fundit kanë mbërritur mbi 6 mijë ankesa në këtë zyrë. Sipas tyre, ankesat janë kryesisht për faturat e muajit janar por nuk mungojnë edhe problemet e muajve të kaluar, për të cilat abonentët e OSSH kërkojnë zgjidhje. Qytetarët, ankesat e tyre i adresojnë ndaj punonjësve të OSSH duke i akuzuar për abuzim me detyrën e tyre, por ata shprehen të habitur pasi edhe pse kanë kohë që ankohen për faturistin apo elektricistin e zonës, ndaj tyre nuk merret asnjë masë nga ana e drejtuesve të OSSH, pavarësisht se nuk mungojnë akuzat e shumta dhe ankesa e qytetarëve ndaj këtyre personave.

Last Updated on E Enjte, 04 Mars 2010 09:30

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›