E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturimi gabim, kompensim i lehtë në muajin pasardhës

Rastet e abuzimeve nga OSSH janë nga më të ndryshmet. Qytetarët çdo ditë dynden në zyrat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të paraqitur ankesat e tyre për faturat e fryra. Fenomeni është bërë më shqetësues gjatë muajit janar, kur çmimi i energjisë është rritur dhe qytetarët janë të detyruar të paguajnë deri në trefish më shumë.

Faturistët kanë zgjedhur një mënyrë të zgjuar për të grabitur qytetarët, atë të faturimit gabim dhe kompensimit në muajin pasardhës. Pikërisht tek kompensimi ndodh edhe "gabimi" pasi tarifimi i energjisë elektrike kryhet me dy tarifa që ndjekin praktikën sa më shumë të harxhosh aq më i lartë do të jetë çmimi i një kilovatori të energjisë elektrike. Faturistët e energjisë elektrike paraqiten në banesat e qytetarëve dhe kryesisht bëjnë kontrollin e matësve në momentet kur këta të fundit nuk ndodhen aty. Sahatet matës, të grupuar në hyrje të pallatit kontrollohen nga faturisti i energjisë, i cili shënon shifrën e kilovatorëve që janë harxhuar deri në datën e faturimit të kaluar si dhe shumën reale që ndodhet atë moment në sahat. Diferenca e tyre përbën edhe numrin e kilovatorëve që janë harxhuar nga konsumatori familjar. Qytetarë të shumtë vazhdojnë të ankohen për një ndryshim të pajustifikueshëm të faturës së energjisë dhe shpesh herë për faturim të gabuar. Kryesisht faturimi i gabuar dhe rritja e pajustifikueshme e faturës ndodh një herë në tre muaj, që përkon me periudhën kur faturistët bëjnë rakordimet e tyre me qendrën. "Çdo muaj kemi të njëjtin ritëm të konsumit të energjisë por fatura lëviz. Kemi konstatuar me faturistin dhe na ka thënë që do të na kompensohet muajin pasardhës. Realisht na kompensohet, fatura e ardhshme vjen më e ulët, pohojnë qytetarët. Burimet pranë OSSH-së shpjeguan se në rastet kur një konsumatori i faturohet gabimisht energjia që ai nuk e ka harxhuar, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes bën shqyrtimin e çështjes dhe në nëse vërtetohet se qytetari nuk e ka konsumuar atë, aplikohet praktika e kompensimit në muajin pasardhës, duke e quajtur të përfunduar si proces.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›