ERE: OSSH, të dhëna jo të besueshme për humbjet
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike rrëzon sërish kërkesën e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike
TIRANË- Kërkesa e OSSH-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm është kthyer në një debat të vazhdueshëm midis këtij operatori dhe Entit Rregullator të Energjisë.
Me anë të një vendimi të Bordit të Komisionerëve, të marrë disa ditë më parë, ERE ka refuzuar edhe një herë pranimin e një niveli më të lartë humbjesh të energjisë për të cilin Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kishte kryer edhe një auditim me anë të një kompanie private.
Pas refuzimit të shifrave të dala nga auditimi i parë, pronarët e rinj të OSSH-së kanë ankimuar vendimin e Entit Rregullator duke kërkuar rishikimin e tij.
Por, edhe këtë herë ERE e ka parë të arsyeshme të mos e marrë në konsideratë këtë kërkesë me shpjegimin se nuk është ofruar asnjë e dhënë e cila nuk ekzistonte edhe gjatë vendimmarrjes së parë. Kjo procedurë është e përcaktuar edhe në rregulloren e funksionimit të këtij institucioni.
Kështu, neni 16 i Dispozitave te Rregullave te Praktikes dhe Procedurave të ERE-s obligon këtë të fundit të rishikojë një vendim të Bordit të Komisionerëve, në rast se pala ankuese paraqet prova të reja, të cilat nuk njiheshin më parë dhe si të tilla nuk janë marrë në konsideratë në momentin e marrjes së vendimit.
Sipas këtij neni, përsëritja e të njëjtave argumente, të cilat janë shqyrtuar dhe janë marrë në konsideratë më parë, nuk mund të shërbejnë si bazë për rishikimin e një vendimi.
"Mbështetur në këto dispozita, Bordi i Komisionerëve në shqyrtimin e ankimit të paraqitur nga ana e OSSH-së konstaton se në të gjithë materialin e paraqitur për të përligjur këtë ankim mungojnë argumentet ose dokumentet me cilësinë e provës së re", - theksohet në vendimin e Bordit të Komisionerëve.
Sipas ERE-s, pronarët e rinj të OSSH-së kanë të drejtë që të rishikojnë treguesit që kanë të bëjnë me nivelin e humbjeve nëse ata e cilësojnë të pasaktë por gjithnjë duke u bazuar mbi të dhëna të besueshme.
"Në kundërshtim me këtë princip të Deklaratës Rregullatore, si në Raportin e Auditimit ashtu edhe në argumentet shtesë të paraqitura nga Audituesi bashkë me ankimin, nuk jepet asnjë nivel saktësie që vërteton besueshmërinë e rezultateve dhe llogaritjeve të auditimit".
Ndërkohe që OSSH-ja siguron se të dhënat që janë audituar dhe marrë për bazë në llogaritjet e kompanisë janë të besueshme, theksohet më tej, vetë audituesi në disa raste shprehet se ka arritur në përfundimin se të dhënat që janë shfrytëzuar janë të pasakta dhe se ndikojnë ndjeshëm në nivelin e përgjithshëm të humbjeve në rrjet.
Arritja në dy konkluzione të tilla, plotësisht kontradiktore, shprehet ERE, provon se rezultati i auditit është i pambështetur, i pasaktë dhe për rrjedhojë i pabesueshëm.
Përcaktimi i nivelit të humbjeve të energjisë është një e dhënë shumë e rëndësishme për sa i përket vendimit që pritet të merret për masën e rritjen e çmimit të saj.
Nëse do të vërtetohej një nivel më i lartë humbjesh, ajo do të përkthehej në një çmim më të shtrenjtë për konsumatorët. Rritja e çmimit të energjisë është cilësuar si një rrugë për mbulimin e humbjeve ndërkohë që ekspertë të ndryshëm e kanë cilësuar të gabuar këtë praktikë. Sipas tyre, më shumë se për shtrenjtimin e energjisë, pronarët e rinj të OSSH-së duhet të marrin masat për rritjen e kapaciteteve menaxhuese të këtij operatori. E. Senja.