E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati i gogësitjes

Adi Krasta

Emisionet e mengjesit dhe gara e re mes televizioneve: Kush do te fitoje vemendjen e shqiptareve ne oret e para te agimit

“Fillimi i mirë është gjysma e punës”, thotë një fjalë e urtë popullore. Për të filluar ditën mbarë, një stimul i mirë janë edhe emisionet e mëngjesit. Dita nis ndryshe me një program të tillë. Kohët e fundit këto lloj formatesh janë shtuar si kërpudhat, duke të dhënë mundësi të përzgjedhësh. “Vizion plus” po sjell një emision të mëngjesit të vonë. I quajtur me emrin mbresëlënës “Konak”, ai është konceptuar në formën e një maratone programore, në dinamikën e së cilës mund të gjesh informacionin e përditshëm të nevojshëm. Një format që përmes karakterit informativ dhe social, ku në krijimin e një strukture programore elementet e saj ndërthuren harmonikisht me njëri-tjetrin. Gjithçka e konceptuar brenda ambienteve të një shtëpie, ku protagonistët e tij, prezantuesja Kozeta Kurti, personazhi që prezanton horoskopin zonja Merita dhe personazhi që prezanton rubrikën e kuzhinës, së bashku me të ftuarit e përditshëm, janë anëtarët e formatit të mëngjesit në “Vizion plus”. Mes tyre krijohet një marrëdhënie ndërpersonale, çka synon të kthejë teleshikuesit në protagonistë dhe të sigurojë për ta të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të duhur për të organizuar sa më mirë ditën e tyre. Ndër prezantuesit e kësaj shkolle është edhe Aldon Lipe me “Aldo Morning Show”. Baza e këtij formati është vox-pop, ku teleshikuesi i bën jehonë shtetit, duke u kthyer në protagonist. Nuk përjashtohen edhe njerëzit në nivel të lartë profesional për të debatuar. Për vite me radhë, emisioni i tij “Goodmorning Albania” ka zgjuar shqiptarët, duke iu gjendur gjithnjë pranë halleve të tyre. Me kalimin e tij në ekranin e televizionit “Klan”, ai ka shtuar edhe më shumë audiencën. Kjo falë bashkëpunëtorëve të tij nga rrethet, që transmetojnë lajmet më të fundit nga qytetet përkatëse. Por nuk ka ndodhur kështu me formatin e ri të “Top Channel”. Edhe pse në fillim mendohej se konkurrenca mes këtyre dy emisioneve do të vinte në dilemë shumë njerëz, tani çdo gjë është vendosur, pasi njerëzit duan të zgjohen pa strese. Dita e re apo “New day”, formati i ri i mëngjesit në “Top Albania Radio” dhe “Top Channel” me Adi Krastën, edhe pse është ridimensionimi i radios me televizionin, prapëseprapë nuk arriti të kapë majat e audiencës. Një program ku komentohen ngjarjet më të rëndësishme të javës, me disa studio dhe titujt e gazetave që vijnë për të thelluar tema, ide e rrëfime personale. Problemi i vetëm këtu qëndron tek stili aspak fresh dhe energjik që rrezatohet gjatë emisionit i cili presupozohet të ndihmojë në zgjimin e teleshikuesit, por që bën ekzaktësisht të kundërtën. Një dorë në këtë drejtim e jep edhe prirja e ekzagjeruar e drejtuesit për të vënë vetveten në qendër të gjithçkaje, monologjet e stërgjata që hyjnë deri në labirinte filozofike, pasiviteti deri në mërzi i të ftuarve dhe inflacionimi i shprehive të drejtuesit që shpesh arrin për faj të tyre deri në thyerje të etikës ndoshta i bindur se askush nuk po e dëgjon. Një format të ngjashëm ndjek edhe emisioni “Jo vetëm kafe”, që transmetohet çdo ditë në Televizionin Publik Shqiptar. Këtu, një pjesë e rëndësishme i është kushtuar promovimit, çka bie ndesh me dëshirën për të pasur një zgjim të këndshëm. Mesa duket, qokat e shumta dhe të ftuarit e këtij programi kanë ndikuar në “mospranimin” nga masa. Një tjetër emision homolog i mëngjesit është edhe “Kapuçino” në TVA. Edhe pse i përmbahet një linje informuese, arrin që me një të ftuar të bëjë një analizë të detajuar të aktualitetit dhe më gjerë. Ndër të parët që ka drejtuar një emision mëngjesor ka qenë Bashkim Hoxha, në një televizion lokal, e që tanimë vijon në “Neës 24”, me titull “Koha për t’u zgjuar” . Për vite me radhë ai ka zgjuar shqiptarët nga gjumi me emisionin e mëngjesit në “Teuta TV”. Me një pamje prej babaxhani, ai ka zgjedhur një format të hapur për njerëzit, por edhe selektiv në përzgjedhjen e temave. Gazetari është përpjekur të inkuadrojë problemet që dalin nga bashkëbiseduesit, duke komunikuar me shumë kulturë. Përpos të gjithash, nuk ka rëndësi formati i njëjtë, pasi njerëzit nuk presin shpikje të reja. Ajo çka vërtet vlerësohet nga shqiptarët, është një zgjim pa strese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›