E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE ndeshkon CEZ per faturimet e padrejta

Kompania CEZ ka abuzuar ndaj konsumatorëve dhe ka shkelur ligjet në fuqi për shërbimin që ka kryer muajt e fundit. Enti Rregullator i Energjisë, duke parë ankesat e shumta, si dhe veprimet e i kompanisë shpërndarëse të energjisë elektrike ka vendosur penalizimin maksimal që lejon ligji. Bordi i Komisionerëve të Entit, është shprehur se faturat “Energji e pamatur” dhe “dëm ekonomik” janë të jashtëligjshme.

"Enti Rregullator i Energjisë ka monitoruar e studiuar me kujdes gjithë procedurën e ndjekur nga ana e CEZ shpërndarjes dhe ka konstatuar se aplikimi i 'dëmit ekonomik' apo 'energji e pamatur' është kryer në mënyrë abuzive dhe arbitrare pasi këto nuk përputhen me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi. Për këto veprime të CEZ shpërndarjes, ERE me vendim nr. 90, datë 15.11.2010 të bordit të komisionerëve të ERE dënoi me gjobë në shumën 350 mijë lekë kompaninë CEZ shpërndarja", tha Eduart Elezi, drejtor Juridik, ERE.

Monitorimi i veprimtarisë së CEZ Shpëerndarje do të vijojë. Enti Rregullator fton konsumatorët që të denoncojnë çdo dyshim që ata kanë për abuzim të mundshëm. "ERE është në ndjekje të vazhdueshme të këtij procesi dhe i ka kërkuar urgjentisht kompanisë CEZ shpërndarja që brenda datës 12.01.2011 të informojë publikun për masat që ka marrë për sistemimin e shqetsimeve të krijuara nga kjo shoqëri. Nëse nesër CEZ nuk reagon, atëherë ERE në bazë të ligjit do të të procedojë kompaninë administrativisht", tha Elezi. Prej muajsh, mijëra konsumatorë janë ankuar për mbifaturim, apo numërim të kilovatëve të konsumuar ndërmjet muajve.  

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›