E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE “rrëzon” shifrat e OSSH-së për humbjet

03/11/2009  Niveli i humbjeve

Çmimi i energjisë elektrike për konsumatorin dhe biznesin nuk do të ketë rritje në nivelin e kërkuar nga çekët që privatizuan Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Enti Rregullator i Energjisë ka hedhur poshtë shifrat e prezantuara nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në lidhje me nivelin e humbjeve, duke i konsideruar ato si të ekzagjeruar dhe të paevidentuara. Pas analizës që ky ent i bëri humbjeve të energjisë në rrjet për vitin 2008, doli në përfundimin se ky nivel është 3,7 për qind më i ulët nga sa pretendon Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Humbjet më të mëdha në rrjet konstatohen tek konsumatorët familjarë, të cilët përbëjnë më se 60 për qind të konsumit të energjisë elektrike. Por duke ditur se niveli i humbjeve është një prej elementeve kryesorë që mbështet kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë, atëherë do të ketë pak gjasa që energjia vitin e ardhshëm të rritet me mesatarisht 20-23 për qind për të cilën kanë aplikuar çekët e kompanisë CEZ që privatizoi Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Vendimi i Entit rregullator të Energjisë për mospranimin e nivelit të humbjeve prej 35,7 për qind është marrë 2 javë më parë dhe mësohet se është apeluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›