Shtyhet vendimi për çmimin e energjisë
Shtyhet mbledhja e bordit drejtues të ERE. Kryetari i saj, Sokol Ramadani ka bërë me dije se shtyrja është bërë për shkak të rifreskimit të të dhënave mbi investimet e kryera nga CEZ shpërndarje.
ERE pritet të marrë një vendim lidhur me propozimet për rritje të tarifave për energjinë elektrike. Kërkesa është bërë nga KESH, OST dhe CEZ. Rritja e çmimit u kërkua gjatë një seance dëgjimore të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë me grupet e interesit.
KESH kërkon rritjen e çmimit nga 1.48 lekë në 5.05 lekë. OST ka kërkuar nga ana e saj rritje nga 0.6 lekë në 0.73 lek për KW, kurse CEZ propozon dy alternativa për rritjen e çmimit të energjisë: Rritjen e çmimit mesatarisht me 4.6%, ose mos rritje të çmimit por likuidimin përfundimtar të borxhit mes CEZ-it, KESH-it dhe qeverisë.
ERE vendos sot për çmimin e energjisë
Emirjon Senja
Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë mblidhet sot në mesditë për shqyrtimin e kërkesave të tri kompanive të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarja, KESH dhe OST për rritjen e çmimit të saj për një periudhë 3 vjeçare. Mbledhja vjen pas disa dëgjesave të zhvilluara me kompanitë në fjalë dhe shqyrtimit me detaje të kërkesave të tyre. Bordi pritet të dalë me një vendim të përbashkët në orët e pasdites, ku do të përcaktohet nëse do të ketë rritje ose jo apo nëse do të aplikohet e njëjta skemë si vitin e shkuar, ku të preken çmimet e shërbimit midis kompanive në fjalë.
CEZ Shpërndarja ka kërkuar një rritje mesatarisht 4.6 për qind, e cila për konsumatorët familjarë përkthehet në rritje nga 7.7 lekë në 8.05 lekë kWh për konsum deri në 300 kWh në muaj dhe nga 13.50 lekë në 14.16 lekë kWh për konsum mbi fashën 300 kWh. Nga ana tjetër, KESH ka kërkuar që tia shesë CEZ-it një kWh me jo më pak se 5.05 lekë nga 148 lekë kWh që është aktualisht, kurse OST kërkon rritjen e çmimit nga 0.6 lekë kWh në 0.73 lekë.
Përkundër tre kompanive, rritje çmimi kanë kërkuar edhe HEC-et e Ulzës edhe Shkopetit, të cilët me një ligj të veçantë u ndanë nga KESH dhe funksionojnë si kompani të veçanta. Çmimi final që paguajnë konsumatorët për një kilovat energji përbëhet nga kostoja e prodhimit të KESH-it apo e ajo e blerjes në tregun ndërkombëtar, kostoja e transmetimit nga HEC-et tek linjat e operatorit të shpërndarjes nga OST-ja dhe nga kostoja e CEZ Shpërndarjes plus fondet e nevojshme për të investuar gjatë vitit tjetër si dhe fitimi.
