ERNESTO SABATO DHE SHQIPERIA
Ernesto Sabato e deshi Shqiperinë për shkak të njerëzimit, shqiptarët e nderojnë Sabaton për arsye të artit dhe gjithashtu njerëzimit. Në 1996, Sabato erdhi në Shqipëri. Mosorania e tij fizike është prapëseprapë prani shpirtërore.
Në kryeveprën e tij Abadoni, engjëlli i errësirës, shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato në formë sentenciale, tepër të përkorë dhe të papritur, rrëfehet për origjinën shqiptare nga ana e gjyshit dhe italiane, nga ana e gjyshes.
Sabato flet për heroin Skënderbe të shqiptarëve, jep konsiderata filologjike në gjuhën shqipe, konstrukton kështu një dëshmi krejt të veçantë, unikale për të. Këto të dhëna janë të dyfishta, në formën e kujtesës familjare, tepër të mjegullt, si dhe të leximeve që do të ketë bërë Sabato, i përqendruar në optikën e këtij motivi.
Për të formuluar diçka më tipike dhe lapidare, Sabato shkruan edhe këtë pasazh: Shiko çfarë thotë Apolineri për Kanurin, mikun e tij shqiptar: një vitalitet mbinjerëzor për të mbijetuar dhe një prirje vetëvrasëse, duket e pakrahasueshme, apo jo? Dhe për mendimin tim, ky është një tipar karakteristik i racës.
Natyrisht që emri Kanuri është një lapsus, ose një sajesë etimologjike. Duhet të ketë qenë patjetër emri i njohur i Konicës. Nëse ka lexuar (dhe pa dyshim, ka lexuar) Apolinerin, këtë kryemjeshtër të poezisë europiane, të modernitetit të shek. XX, nuk ka se si të mos ketë lexuar emrin e Faik Konicës, i cili ishte i adhuruar prej Apolinerit. Apolineri ka botuar disa shkrime dhe kujtime për Konicën, në rrafshin e një dishepulli për mjeshtrinë e tij.
Pse Sabato e ndryshon emrin e Konicës në emrin Kanuri? Në kujtimet e Apolinerit botuar në Mercure de France në 1912, mund të kuptohet intrigimi inkadeshent që shkakton emri i Konicës tek të tjerët. Duke marrë guximin jo për ta zbuluar të vërtetën, por për ta saktësuar, dua të përqendrohem në këtë pikë.
Tek Faik Konica, si një homo-albanicus, si një shqiptaroid, si modul psikik dhe etnik, Sabato heton dy dimensione të kundërta, madje antagoniste. Kështu, çështja ekzistenciale paraqitet si një kundërthënie e tmerrshme edhe sipas nocionit heraklitian të luftës së përjetshme. Ky tipar i racës shpjegon enigmën shqiptare në të kaluarën, të sotmen dhe besoj (a kam të drejtë vallë të besoj?) dhe të ardhmen.
Sagat e mëdha kontinentale të ilirëve, si ndër europianët e parë (zanafillorë, parakë, madje edhe sipas metaforës homerike proselinoi, dmth, të lindur përpara Hënës etj, etj) nuk u shkruan kurrë, mbetën anonime në fjalë, dhe vetëm arkeologët me aventurat e tyre të dijes kanë tentuar të njohin disa thërrime të ndritshme. Por bota e ilirëve, konsiderohet si një botë e mbyllur, është e vështirë të gjesh një portë të saktë, ose disa porta për të hyrë me vështirësi në reliktet e fosilizuara të shpirtit të mijëvjeçarëve.
Shqiptarët e Mesjetës e kanë një yll solomonik, të padyshimtë: Skënderbeun. Ne dimë diçka të vrullshme dhe madhështore për të, por dimë shumë pak për dilemat shpirtërore dhe arketipat ekzistues të popullit të tij në epokën kastriotase.
Shqiptarët modernë kanë mbijetuar duke u vetëvrarë pafundësisht.
Për racën shqiptare (emërtimi racë është tepër konvencional) ka dy lagje teorish, absolutisht përjashtuese dhe asgjësuese për premisat kontestuese. Virhofi (Ëirchov) i ka quajtur shqiptarët racë superiore. Akoma më entuziast dhe apologjistik është H.H.Breillsford, që i mbiquan shqiptarët si Mbinjerëzit e Niçes. Teoria e kundërt, është shqiptaro-fobe, e kobshme, getoiste, një farë gjenocidi i letrarizuar me metafora apokaliptike, sipas të cilave shqiptarët janë raca më inferiore, njerëz me atavizma fiziologjike, si për shembull me bisht, të prapambetur, tibetianët e Europës, kombi shqiptar nuk është komb, gjuha shqipe nuk është gjuhë, kemi të bëjmë vetëm me disa jashtëqitje etnish të ndryshme dhe gjuhësh të ndryshme. Nuk ka optikë më të skajshme dhe më të zezë, sesa kjo për shqiptarët.
Në të vërtetë, shqiptarët janë një komb i vjetër, fisnik, me dinjitet, si gjithë të tjerët. Është e vërtetë që kanë mbijetuar dhe mbijetojnë, siç është e vërtetë se për fatalizmin e tyre (historik?) kanë pasur si një ritual një lloj harikiri individial, qoftë edhe të kultizuar, si një relikte historike, siç është gjakmarrja etj, etj. Si mund të shpjegohet? Sipas parametrave dhe paradigmave të teorive të filozofëve? Sipas interesave të historianëve dhe politikanëve që i kanë profilizuar edhe zhdukjen e kombit shqiptar? Jo, shpjegimi bëhet vetëm duke pasur parasysh historinë e tyre, të fqinjëve gjeografikë dhe të vetë Europës. Nuk duhet të shpikim shpjegime sa të karakterit instiktiv, frojdian, aq edhe shpjegime të karakterit emocional dhe irracional. Kundërshtitë e mëdha (gjithashtu relative) në monadën shqiptare, në tipin, në etnoarketipin, në futuro-tipin, kanë karakter të kuptueshëm historik. Shpjegimet dhe interpretimet nuk janë të lehta për tu bërë.
Shqiptarët nuk janë dhe nuk kanë qenë kurrë një popull i zgjedhur. Ata janë një popull si gjithë të tjerët. Por ata nuk janë asnjë popull i mallkuar. Ata kanë tragjeditë, marrëzitë, humbjet, por edhe fitoret e tyre. Qytetërimi shqiptar, është pjesë e atij europian, pa diskutim. E ardhmja, u ka kthyer shpinën shpesh në histori shqiptarëve, por nuk i ka braktisur kurrë, sidomos sot.
Ernesto Sabato ilustron me figurën e Konicës kombin shqiptar, natyrisht mendime në një thënie të Gijomë Apolinerit. Karakteri gjithashtu relativ, është sa i pranueshëm, aq shpreh edhe një intimitet rrëqethës dhe lirik, një të vërtetë të prekshme, që ne shqiptarët e përjetojmë në mënyra të shumëfishta dhe më tepër me shqetësim aktual. Ngaqë politika ende e zotëron rrafshin shqipëror të shqiptarëve, e ndiejmë se ka një satanizim përçarjesh, krejt të pafalshme për fillimin e mijëvjeçarit III. Formula e Apolinerit për mbijetesën, prirjen vetëvrasëse të Konicës dhe kombit që ai i përket, kurrë nuk ka pasur një vlerë përfundimtare si epitaf, është thjesht një nga paradokset e kapërcyeshme, ose një metaforë paradoksale. Mund të përmendet edhe në një parathënie për një histori më normale të së ardhmes.
I pari dhe më i sakti për shqiptarët ka qenë Xhorxh Bajroni, i cili duke e ndriçuar historinë e shqiptarëve, në kryeveprën e vet poetike, nuk ka harruar të shtojë që të gdhendë në bronz vargun paradigmë: Vetitë nuk u kanë munguar, veç ti kishin pak më të arrira.
Ernesto Sabato është një nga dinozaurët e letërsisë botërore, me ndikim të jashtëzakonshëm në këtë letërsi. Pas ardhjes së tij në Shqipëri para disa vitesh, emri i Sabatos u bë më intim, shqiptarët e njohën më mirë. Në ceremonitë që u bënë për të, kam pasur fatin të jem edhe unë i pranishëm, ruaj si kujtim edhe një fotografi të përbashkët, si edhe një libër të tij në spanjisht që ma dhuroi me një dedikim të ngrohtë dhe të paharruar. Ai premtoi që do të shkruante diçka më të shumëfishtë, rrjedhimisht me një njohje më substanciale për shqiptarët. Jam në dijeni që ka shkruar diçka. Duke qenë një shkrimtar universal, jo thjesht një shkrimtar argjentinas, këto kohët e fundit, ai ka bërë nga shkrimet më të çuditshme që lidhen me dramën, krizën, pasigurinë e të ardhmen e njerëzimit. Ai mendon për njerëzimin si një të tërë. Kohët e fundit, në një shkrim të tijin kam lexuar disa nga mendimet më tronditëse të cilat kanë vlerë edhe për ne shqiptarët. Ai i drejtohet një njeriu të thjeshtë që ka shkruar një letër.
Do tju flisja për çka ndodh sot në botë. Për rrezikun ku ndodhen të gjithë, të pasurit dhe të varfrit. Pikërisht këtë nuk e dinë ata, njerëzit me pushtet. Nuk e dinë se dhe bijtë e tyre gjenden në një situatë mjerane. Nuk mund të zhyteni në depresion, sepse është një luks i tillë, të cilin nuk mund tia lejojnë vetes prindërit e fëmijëve që vdesin urie. Dhe nuk mundemi të mbyllemi me kyç nëpër shtëpitë tona. Duhet ti hapemi botës. Mos mendo se shkatërrimi