E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERTEMIONA MEJDANI, “Miss Shqipëria”, te fshehtat perveluese te nje 18-vjeçarja

Konkursi i bukurisë “Miss Shqipëria 2009”, me partner mediatik Vizion Plusin, shpalli fituese 18-vjeçaren

Petrika GROSI
Pas kurorëzimit si “princesha e bukurisë shqiptare” në spektaklin e organizuar nga Petri Bozo para Torrës veneciane në Durrës, që u transmetua ekskluzivisht nga Vizion Plus, 18-vjeçarja nga qyteti i serenatave, Ertemiona Mejdani tregon në intervistën për suplementin “Albania Weekend” mbi këtë përvojë të veçantë; emocionet e para dhe pas shpalljes si “Miss Shqipëria”, jetën e saj, pasionet, ëndrrat, dëshirat dhe planet për të ardhmen, dashurinë që ende e pret të vijë. Ertemiona ka një profil të vetin, të cilin jemi përpjekur që ta zbulojmë sadopak përmes kësaj interviste; është shumë besimtare, në fakt, si familje i përket besimit mysliman, por “Miss Shqipëria ‘09” beson dhe i lutet vetëm Krishtit. Ajo ka qenë edhe volejbolliste, gjithashtu, ka provuar të bëhej balerinë por nuk i ka ecur... Tashmë e ka gjetur veten si pjesë e botës së spektaklit dhe i pëlqen të bëjë karrierë në gazetari. Me radion ka një lidhje të veçantë. Prej një viti, Ertemiona drejton edhe një emision radiofonik në Korçë... Sa i përket literaturës, bukuroshja korçare është adhuruese e poetit arbëresh Jeronim de Rada, ndërsa nga shkrimtarët e huaj pëlqen Franc Kafkën. Së fundi, Ertemiona Mejdani shpreson të kurorëzohet edhe si “Miss Globi 2009”; sigurisht, ëndërr e madhe por pse jo, ndoshta e prekshme!

Si e nisët këtë përvojë që tashmë ju çoi në kurorëzimin tuaj si “Miss Shqipëria 2009”?
Kisha dëgjuar në media dhe kisha parë njoftimet se Petri Bozo dhe Vizion Plus organizonin konkursin e bukurisë dhe mendova që do të ishte privilegj për mua nëse do të merrja pjesë. Gjithmonë i kam pëlqyer dhe vlerësuar spektaklet e këtij lloji. Dhashë intervistën dhe u pranova për të qenë pjesë e këtij konkursi.

Po më tej si shkoi ?
Vajzat ishin shumë të bukura dhe vinin nga vende e treva që kishin gjithashtu, një bukuri të madhe. Konkurrenca ishte shumë e fortë por ja kemi kaluar shumë mirë dhe në fund, vetëm njëra do të fitonte...

Me cilat nga vajzat krijuat më tepër miqësi?
Pothuajse me të gjitha vajzat kisha lidhje, por nuk mund të them se krijuam një miqësi kaq të fortë e të sinqetë për vetë faktin se njiheshim vetëm prej disa javësh.

Si jeni ndier para konkurrimit dhe gjatë turit të “Miss Shqipëria” nëpër rrethe?
Kisha shumë emocione, sidomos në skenë më zinte ankthi, stresi e frika se mos ngatërroja ecjen. Ishin ditë shumë të ngarkuara dhe as fizikisht as shpirtërisht nuk ndihesha mirë, megjithatë në fund ja dola.

Po momenti i mbrëmjes finale, çfarë përjetimesh ju solli?
Do të jetë një moment i paharrueshëm për mua, pasi në të vërtetë, nuk e prisja që të fitoja. Siç e thashë dhe pak më parë, ishte konkurrencë mjaft e fortë...

Ju nxiti ndokush të bëheshit pjesë e kësaj gare, apo ishit e vetme?
Ka qenë familja ime që gjithmonë më ka mbështetur dhe inkurajuar në këtë rrugë, duke e ditur se e kisha ëndërr pasarelën dhe konkurset e bukurisë, ashtu si çdo vajzë në moshën time.

Hobi juaj ishte gazetaria?
Më pëlqen të vazhdoj të punoj në këtë profesion pasi kam prirje. Punoj te Radio-Televizion Korça prej një viti dhe ndihem shumë mirë me profesionin e gazetares.

Ju tërheq më tepër ideja e të qenurit një ditë drejtuese emisioni, spikere apo gazetare në terren?
Dua të kem sa më shumë kontakte me publikun. Do të më pëlqente edhe gazetaria në terren, por më shumë ndihem komode në rolin e radio-folëses.

Pse, pikërisht ky afeksion për radion?
Aty kam gjetur veten time...

Që do të thotë?
Jam përshtatur mirë me radion dhe kam parë se aty mund t’ia dal vërtet mbanë. Më pëlqen të kontaktoj me dëgjuesit, të zhvilloj lojra telefonike dhe të drejtoj emisione.

Ky afeksion ndaj radios, mos ka të bëjë me misterin që krijon pikërisht komunikimi radiofonik?
Nuk do ta kisha problem fare nëse njerëzit do të më shikonin, përkundrazi, do të ishte një privilegj për mua që të shfaqesha para tyre me fytyrën, veprimet dhe gjithçka timen. Megjithatë, nuk e mohoj se në radio mund të flasësh më lirshëm dhe gjithçka është në dorën tënde, pra, mund të bësh si dhe çfarë të duash.

Çfarë marrëdhënie keni me librat?
Më pëlqen të lexoj, por duke qenë se koha e fundit për mua ka qenë fazë provimesh kam hequr dorë disi nga librat. Libri i fundit që kam lexuar ishte “Tre metra mbi qiell”, një libër vërtet tërheqës për moshën time.

Shkrimtari i preferuar?
Jeronim de Rada..

Çfarë keni lexuar prej tij?
Një libër me poema dhe disa vepra të tjera që tani nuk po më kujtohen.

Po nga të huajt?
Kafka...

Çfarë mendonI se do të ndryshojë këtej e tutje në jetën tuaj?
Tani për tani dua ta mbaj kurorën denjësisht, por dhe shpresoj që çdo gjë ta shfrytëzoj bashkë me këtë mundësi në favorin tim. Kam qejf gjithçka që lidhet me botën e spektaklit.

Pas triumfit te “Miss Shqipëria”, do të garoni në “Miss Globe International ‘09”. Prisni të fitoni edhe aty?
E shikoj si një mundësi shumë të mirë për mua; asnjëherë nuk e kisha menduar se do të isha një konkurrente e “Miss Globit” dhe nuk e di nëse do të arrij ta fitoj, fundja, as kurorën e “Miss Shqipërisë” nuk e kisha çuar në mendje, kështu që le të shpresojmë...

Ju vjen keq që do të largoheni nga Korça për të ardhur në Tiranë?
Do të filloj studimet te universiteti “Marin Barleti” dhe domosdoshmërisht më duhet të jetoj në Tiranë, edhe pse nuk do të doja kurrë që të hiqja dorë nga Korça.

Cilat kanë qenë përvojat paraprake me sfilatat dhe konkurset e bukurisë?
Kam marrë pjesë te “Miss Korça” dhe jam kurorëzuar si “Miss Korça 2008” dhe “Miss Media”.

Megjithatë, për mediat deri mbrëmë ishit krejt e panjohur?!...
Për vet faktin se kam qenë fituese vetëm përbrenda Korçës dhe horizontet e mia ishin shumë të kufizuara, por di të them se në qytetin tim jam shumë e njohur.

Jeni e dashuruar?
Nuk jam e dashuruar dhe nuk e shikoj të arsyeshme që një gjë e tillë të ndodhë tani. Ka kohë plot dhe këpuca nuk po më shtrëngon

Mendon se hyn arsyeja te ndienjat?
Them se po.

Pra, Ertemiona i kontrollon ndienjat?!
Patejtër që po. Njerëzit mund të arrijnë çdo gjë nëse duan dhe mendoj se ndienjat mund të kontrollohen duke arsyetuar.

Përdorni ndonjë taktikë “sekrete” kështu?
Është vetë karakteri i njeriut.

Sot vajzat që 14 vjeç lidhen, si ka mundësi që ju keni qëndruar gjithmonë vetëm?
Janë gjëra që ndodhin për shkak të moshës. Adoleshentet duan të kenë një të dashur dhe veprojnë kështu për arsye të ndryshme që dihen. Ndërsa unë kam ditur ta kontrolloj veten në moshën e adoleshencës dhe tani që jam 18-veç, nuk e kam problem.

Ju bezdisin ngacmimet në rrugë, pasi tashmë do të shtohen pa dyshim?
Jam mësuar me këtë gjë, por ndalimet në rrugë më duken veprime të papjekura dhe them se do të vijë një ditë kur çunat ta kuptojnë që nuk është kjo rruga e duhur për ta bërë një vajzë për vete.

Pra nuk është se ju bëhet qejfi nga këto ngacmime?
Ndodh që të bëhen si lojë, por kjo vlen më tepër për vajzat që kanë ngacmime shumë të rralla. Kur mësohesh me diçka nuk të bën më përshtypje.

Çfarë objektivash i keni vënë vetes për momentin?
Qëllimi im është ta mbaj kurorën në mënyrën më të denjë të mundshme, të nderoj familjen, veten dhe qytetin tim. Detyra që i kam vënë vetes është të qëndroj sa më e fortë të jetë e mundur. E di që tani nuk do të jetë më kaq e lehtë, pasi do të jem njeri i njohur, por do të përqendrohem te vazhdimi i studimeve.

Diçka për veten tuaj si tip?
Jam shumë e fortë, njëkohësisht dhe shumë e ndjeshme.

A kujdeseni për formën tuaj fizike dhe nëse po, çfarë bëni?
Jam një njeri që lëviz shumë dhe më mjafton vetëm kaq për ta mbajtur trupin në formë.

Po me ndonjë sport a jeni marrë?
Jam marrë me volejboll por tashmë e kam lënë. Është mirë të merresh me sport por më duken femra të një niveli tjetër sportistet; me muskuj, të forta, gjë që nuk i shkon përshtat një missi.

A besoni në Zot?
Besoj shumë. Mendoj se këtë fitore ja dedikoj më shumë Zotit pasi ka qenë përkrahës për mua.

Pra, jeni lutur shumë për ta fituar kurorën e “Miss Shqipëria ‘09”?
Jam lutur, gjatë gjithë kohës i kërkoja Zotit të më jepte kurrajën dhe forcën që nuk e gjeta dot brenda vetes dhe i jam mirënjohës që lutjet e mia u dëgjuan.

Shkoni në kishë?
Në fakt jam myslimane por besoj në fenë e Krishterë dhe i lutem Krishtit.

Megjithëmend, pse kjo zgjidhje, apo për shkak të privimeve që mund të kërkojë të qenurit një myslimane e devotshme?
Ndoshta është edhe kjo, por kam gjetur fakte mjaft bindëse te krishtërimi, fakte reale që sinqerisht i besoj me shpirt.

Si ndodhi ky konvertim feje?
Ka ndikuar shoqëria ime që i përket fesë protestante (Kisha ungjillore). Pastaj, duke lexuar Biblën nisa të besoj më shumë dhe lutjet e mia gjithmonë kanë funksionuar.

Keni pasur konflikt me prindërit për këtë shkak?
Prindërit e mi janë liberatë dhe më kanë lejuar që të veproj ashtu siç e ndiej, kuptohet, brenda normave dhe atëherë kur janë të bindur që fëmija e tyre nuk do të dëmtohet.

Ku do t’i kaloni pushimet?
Nuk e di, ndoshta në Sarandë me familjen time.

Shkoni shpesh atje?
Gjithmonë shkojmë në Sarandë.

Çfarë pëlqeni më shumë nga Saranda?
Është një vend shumë i bukur turistik, deti vërtet i mrekullueshëm, njerëzit e një niveli të lartë, komoditeti i mjaftueshëm, vetëm çmimet janë pak të shtrenjta.

Shpesh miss-et i kemi parë të angazhohen në balet, muzikë, televizion e kinema. Po ju çfarë synoni?
Më pëlqen t’i provoj të gjitha, sidomos baleti. Jam rritur në shoqërinë e balerinëve të qytetit tim.

Keni ndjekur kurse kërcimi?
Kënaqem vetëm duke e parë baletin. Një herë e provova por nuk është për mua sepse kërkon disiplinë dhe për shkak të kohës nuk e përballoj dot.

Keni vëllezër apo motra?
Kam një motër më të vogël, (Vasha) shumë të bukur, e cila kur të rritet do të bëhet shumë herë më e bukur se sa unë.

E thoni për modesti?
Jo, e kam me të vërtetë!

Cilat janë virtytet që vlerësoni më shumë te një njeri?
Sinqeritetin e vlerësoj në maksimum pasi janë të rrallë njerëzit që janë të sinqertë, duke përfshirë këtu dhe veten.

Megjithatë, të jesh e sinqertë shpesh krijon armiqësi, keqkuptohesh dhe dëmtohesh... Sa ju ka ndodhur?
Tashmë njerëzit e marrin për dobësi dhe duke mësuar nga këto gjëra, kam vendosur që të mos jem gjithmonë e sinqertë; di se ku të hapem dhe ku të flas lirshëm.

Cili do të ishte mashkulli ideal nëse mund ta portretizoje?
Do të më pëlqente të ishte një mashkull me karaker të fortë, i gjatë, tiparet e errëta dhe mbi të gjitha i sinqertë.

I famshëm, i pasur?
Për mua nuk ka rëndësi pasuria pasi është njeriu ai që e bën dhe e prish pasurinë, ndërsa i famshëm... pse jo? Normalisht, do të më pëlqente të kisha përkrah një mashkull të arsimuar, nga një familje e shëndetshme por nuk e di nëse një njeri mund t'i ketë të gjitha këto pasi siç nuk ka femër ideale nuk ka as mashkull ideal. E di, kërkoj shumë nga jeta...

Së fundi, keni menduar ndonjëherë që të largoheshit nga Shqipëria?
T’ju them të drejtën jo. Jam mësuar me vendin tim dhe jam rritur këtu. Nuk e di nëse largimi do të ishte një përvojë e mirë për mua.

4 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›