E Shtunë, 31 Tetor 2026

The Sun: Ledi Bianku, gjyqtar i llumit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithëse vendi kampion i lirisë dhe i të drejtave të njeriut, nuk arrijnë të garantojnë dot të drejtat dhe liritë e njeriut. Mund të duket kontradiktore por ky është argumenti me të cilin 9 gjyqtarët e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me seli në Strasburg, ku bënte pjesë edhe përfaqësuesi i Shqipërisë, Ledi Bianku, refuzuan kërkesën për ekstradimin e të dyshuarit për frymëzim të terrorizmit, klerikut Abu Hamza, nga Europa drejt SHBA-së. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur tabloidi i njohur britanik “The Sun”, i cili nëpërmjet një editoriali të titulluar “Gjykatësit e llumit”, ironizon këtë trup gjyqtarësh që kryesisht vinin nga vende e Lindjes apo nga shtete me demokraci të re dhe të brishtë, siç është edhe Shqipëria. Sipas gjykatësve që votuan kundër ekstradimit të Abu Hamzait, sistemi i drejtësisë amerikane, në shumë aspekte, vjen në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kjo mund të sjellë trajtimin johuman e degradues të tij, nëse ai dërgohet në SHBA. Duke iu referuar pikërisht përfaqësuesit të Shqipërisë, gjyqtarit Ledi Bianku dhe gjyqtarit maltez Giovanni Bonnell, “The Sun” shkruan se të nëntë gjyqtarët që votuan kundër, vinin nga vende që vështirë se kanë planifikuar ose mbështesin luftën kundër terrorizmit, të tilla si Moldavia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Sllovakia, Polonia etj., ndërkohë që gjyqtarët që përfaqësonin vendet kryesore të Bashkimit Europian, votuan pro ekstradimit të tij në SHBA. Në editorialin e datës 7 gusht, tabloidi britanik shkruan “se ju kurrë nuk keni dëgjuar për shtatëdhjetë e dy vjeçarin Giovanni Bonnell nga Malta, ose për Ledi Biankun, 37 vjeç, nga Shqipëria. Por këta të dy, së bashku, me shtatë gjyqtarë të tjerë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, bllokuan ekstradimin e predikuesit të urrejtjes, Abu Hamza, në SHBA”. Gjithashtu në këtë editorial, theksohet se “Bonnell dhe Bianku dhe kolegët e tyre vinin nga vende të errët, që kurrë nuk i janë kundërvënë terrorizmit islamik”. Duke marrë shkas nga të dhënat e publikuara ka reaguar dhe politika shqiptare. Nëpërmjet Sekretarit të saj Politik, Lazer Stani, Partia Demokristiane ka shprehur shqetësimin e saj për rreshtimin e përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, krahas atij grupi gjyqtarësh, që media britanike e cilëson si kloun të Europës. “Ne na shqetëson fakti se veprime të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Europë dhe te partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë, tek aleatët që na kanë ndihmuar në rrugën e vështirë të ndërtimit të demokracisë, të zhvillimit të vendit dhe të integrimit Euroatlantik”, - shprehet sekretari demokristian në deklaratën e vet. Ndërkohë, ai nuk ngurroi ta cilësojë zgjedhjen e Biankut si përfaqësues të Shqipërisë në këtë gjykatë ndërkombëtare, si një veprim të gabuar të shtetit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›