E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEKS: Shpjegimet në letra sinkron me marrëveshjen

Zëdhënësja e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEKS, Irina Gudeleviç, ka vlerësuar sot se letrat që ky mision ka shpërndarë në vendkalimet në pjesën veriore të Kosovës, për pararegjistrimet e veturave dhe shfrytëzimin e dokumenteve të Kosovës, janë në përputhje me marrëveshjen ndërmjet Beogradit e Prishtinës, për lëvizjen e lirë.

“Edhe Beogradi dhe Prishtina, për këtë janë pajtuar në korrik të vitit të kaluar dhe planifikimi i EULEKS-it është bazuar në këtë marrëveshje”, tha Gudeleviç, ndërsa ka shtuar se “është normale që para se të vazhdoni me cilindo lloj implementimi, paraprakisht në mënyrë adekuate t`i informoni njerëzit dhe tu jepni kohë të mjaftueshme që të kërkojnë zgjidhje përkatëse, që do të jenë në harmoni me marrëveshjet”, tha Gudeleviç.

Agjencia Beta ka raportuar për letrat që EULEKS ka shpërndarë në Jarinje dhe Bërnjak, për pararegjistrimin e automjeteve dhe shfrytëzimin e dokumenteve të Kosovës, nga qershori, shefi i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviç është shprehur se ajo letër absolutisht nuk ka lidhje me qëndrimin e BE-së dhe se këto masa janë të njëanshme dhe të papranueshme dhe se nuk janë pjesë e çfarëdo marrëveshjeve të Brukselit.

Përfaqësuesit e serbëve në pjesën veriore të Kosovës dje kanë protestuar për shkak të masave të paralajmëruara dhe kanë vlerësuar se Stefanoviç nuk ka paraqitur në mënyrë të njejtë marrëveshjen me Prishtinën.

Ata i kanë bërë thirrje Stefanoviç që përsëri t`i shpjegojë detajet e marrëveshjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›