EULEKS dhe KFOR, operacion në Zupç

Zyrtarët e misionit EULEKS në Kosovë thanë sot se po zhvillohet një operacion i EULEKS-it dhe i KFOR-it në Zubin Potok, për të qenë në gjendje për t`i kryer detyrat e tyre të zakonshme.
Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEKS-it, tha se “momentalisht është duke u zhvilluar një operacion për të siguruar qasje të policëve të EULEKS-it në stacionin e Policisë së Kosovës Zubin Potok, në mënyrë që ata të kryejnë detyrat e tyre të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit”.
Më tej ai theksoi se “operacioni, ku janë përfshirë EULEKS-i dhe KFOR-i, është duke u zhvilluar afër fshatit Zupç, rrugës për Zubin Potok, ku një grup i vogël kriminel janë duke e penguar lirinë e qasjes” dhe ka shtuar se “ EULEKS-i do të vazhdojë të punojë ngushtë me KFOR-in për rivendosjen e lirisë së qasjes”.