E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX dënon me 9 vite burg një shqiptar

Gjykata e EULEX-it ka dënuar sot me 9 vite burg një shqiptar.Trupi gjykues i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një gjykatës vendas të Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës e ka shpallur Remzi Hasanajn fajtor për vrasje dhe për mbajtje, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armës.
 

"Trupi gjykues e shpalli të pandehurin fajtor sepse më 18 nëntor 2010, rreth orës 10:45 në vendin e quajtur “Ura e Gjakut” në Mitrovicë, ai me dashje e privoi nga jeta Musa Durmishin duke e sulmuar me thikë. Si pasojë e lëndimeve të marra, Musa Durmishi vdiq rrugës për në spitalin e Mitrovicës. Po ashtu, trupi gjykues konstatoi se në periudhën ndërmjet vitit 1990 dhe 24 gusht 2010, i pandehuri ka poseduar një pistoletë TT M57 pa leje adekuate për armëmbajtje" thuhet në një komunikatë për media të EULEX.

I pandehuri është liruar nga një pikë tjetër e akuzës për mbajtje, kontroll, posedim ose përdorim të paautorizuar të armës. Rastin e ka ndjekur penalisht një prokuror i EULEX-it nga Qarku i Mitrovicës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›