E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Zgjedhjet serbe rrezikojnë sigurinë në Ballkan

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Itali, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një ligjëratë para shumë studentëve, profesorëve dhe diplomatëve në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe dinamika e integrimeve evropiane, me fokus në të drejtat e njeriut, kanë qenë disa nga temat e ligjëratës.

Duke shpjeguar rrugën e gjatë që ka bërë populli i Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, ministri Hoxhaj ka theksuar se dëbimi i më se një milion shqiptarëve, dhjetëra mijëra të vrarë dhe spastrimi etnik, kishte për qëllim ndryshimin e shifrave demografike në Kosovë.

“Serbia asnjëherë nuk e ka qarë kokën për popullatën në Kosovë. Asaj i ka interesuar gjithmonë vetëm territori. Kjo politikë e spastrimit etnik është ndaluar, me intervenimin humanitar të NATO-së dhe ka sjell paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan dhe Evropë”, ka shtuar ministri Hoxhaj, thuhet në një komunikatë të MPJ. Me këtë rast, ministri Hoxhaj ka falënderuar kontributin e Italisë për shtetndërtimin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e madhe të forcave ushtarake në kuadër të KFOR-it.

Duke folur për paralajmërimin e Beogradit për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në tri komunat e veriut të Kosovës, ministri Hoxhaj ka thënë se mbajtja e tyre do të rrezikonte sigurinë në Ballkan.
“Nuk duhet të ketë zgjedhje serbe në veri. Kjo do të rrezikonte tërë arkitekturën e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë pasdite, ministri Hoxhaj do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Giulio Terzi.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›