Bullgari, pezullohet kontrata me Rusinë për ndërtimin e centralit atomik
Zëvendës ministri i financave i Bullgarisë, Vlladisllav Goranov, ka deklaruar se Sofja ka vendosur pezullimin e kontratës me firmën ruse Atomstroyexport, për ndërtimin e centralit të ri atomik në lumin Danub me kapacitet 2000 megavat.
Mediat bullgare kanë raportuar se kryeministri, Bojko Borisov, këtë javë ka biseduar për fatin e këtij centrali atomik, me kryeministrin rus, Vlladimir Putin.
Qeveria e qendrës së djathtë e Borisovit e ka shtyrë vendimin final për këtë central për shkak të çmimit dhe për shkak të dështimit për të gjetur ndonjë investues perëndimor.
Disa raporte flasin për 935 milionë dollarë të investuara deri tani nga Bullgaria në këtë projekt.