E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxhaj-Terzi: Italia kundër zgjedhjeve serbe në Kosovë

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj u takua sot në Romë me homologun e tij italian, Giulio Terzi, nga i cili mori përkrahje të fuqishme të shtetit dhe diplomacisë italiane për perspektivën evropiane të Kosovës dhe proceset tjera në drejtim të forcimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, thuhet në kumtesën e MPJ-së.

Sa i përket proceseve integruese të Kosovës, Terzi ka ofruar ndihmën konkrete të shtetit italian në këtë proces, përfshirë edhe ndikimin te pesë vendet e mbetura të BE-së që të mos e pengojnë në asnjë formë rrugën e Kosovës drejt integrimit të plotë evropian të vendit tonë.

Dy ministrat kanë biseduar për forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale, duke theksuar faktin se brenda këtij viti pritet të nënshkruhen gjashtë marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, tregtar, kulturor dhe arsimor.

Hoxhaj, ka falënderuar Terzin për përkrahjen e vazhdueshme të Romës për Kosovën, në të gjitha drejtimet.

Hoxhaj tha se pas lansimit të studimit të fizibilitetit, Kosova ka nevojë që sa më parë të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe proceset tjera kontraktuale me BE-në.

Në konferencë të përbashkët të dy ministrave, pas interesimit të gazetarëve, ministri Hoxhaj ka sqaruar gjendjen në veri të vendit, duke potencuar se mbajtja e zgjedhjeve serbe në tri komunat e veriut rrezikon gjendjen në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

“Jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në tri komunat në veri dhe qëndrimi i Qeverisë së Kosovës tashmë është i qartë për këtë çështje. Nëse mbahen zgjedhjet, kjo do të vinte në pikëpyetje tërë arkitekturën e sigurisë në rajon”, deklaroi shefi i diplomacisë kosovare.

Edhe shefi i diplomacisë italiane kërkoi respektimin e sovranitetit të Kosovës kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale serbe.

“Çështja e zgjedhjeve lokale duhet të zgjidhet duke respektuar përgjegjësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbi të gjitha aspektet elektorale për organizimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë”, tha Terzi përpara gazetarëve.

Hoxhaj njoftoi mikpritësin e tij se së shpejti në UP do të hapet departamenti për gjuhën dhe kulturën italiane.

Ministri Hoxhaj do të zhvillojë takime edhe me personalitete tjera politike dhe diplomatë të vendeve të ndryshme të akredituar në Romë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›