E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Barrikadat në veri duhet të hiqen

EULEX-i është i palëkundur në qëndrimin e tij se sundimi i ligjit duhet të vendoset në gjithë territorin e Kosovës, dhe se barrikadat duhet të hiqen dhe të sigurohet liria e lëvizjes.
Zëdhënësja e këtij misioni Irina Gudeleviç ka deklaruar se implementimi i plotë i sundimit të ligjit, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, duhet të zbatohet.
“Veriu i Kosovës në këtë aspekt nuk veçohet nga pjesa tjetër e territorit të Kosovës. Kur bëhet fjalë për barrikadat, do të dëshiroja të theksoja se askush nuk po u merr njerëzve të drejtën të protestojnë, që shumë shpesh është interpretuar gabimisht nëpër media, se EULEX-i është kundër protestave. EULEX-i nuk ka asgjë kundër protestave dhe mund të shfaqin vullnetin tuaj politik, kulturor, social, të besimit dhe çfarë të doni, por përmes protestave paqësore”, është shprehur Gudeleviç.

Zëdhënësja e misionit të BE-së vlerëson se barrikadat dëmtojnë ata që jetojnë atje dhe se ato duhet të hiqen dhe të sigurohet lëvizja e lirë e qytetarëve.

“Barrikadat nuk përbëjnë protestë paqësore, barrikadat janë pengesë e lëvizjes së lirë. Kur bëhet fjalë për barrikadat, qëndrimi ynë është fare i qartë: barrikadat duhet të hiqen, meqë duhet të sigurohet lëvizja e lirë. Protesta mund të zhvillohet në një mënyrë fare paqësore pa mbyllje rrugësh, meqë fundja kjo dëmton më së shumti ata që jetojnë atje”, është shprehur ajo.

Gudeleviç ka thënë se pikëkalimet kufitare 1 e 31 janë plotësisht operative, porse shfrytëzimin e tyre tani e pengojnë barrikadat nga një dhe ana tjetër e portave.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›