E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Dënim dhunës kundër KFOR-it

EULEX dënoi sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it, në pjesën veriore të Kosovës. “EULEX absolutisht e dënon dhunën kundër KFOR-it ose kundër secilit institucion ndërkombëtar. KFOR-i dhe EULEX-i janë në pjesën veriore të Kosovës për t’u përpjekur për përmirësimin dhe për ngritjen e sundimit të ligjit”, i tha Reuters-it zëdhënësi i EULEX-it, Nikolas Hauton.

Krasniqi: Dënohet akti i plagosjes së dy ushtarëve të KFOR-it

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se “akti i shëmtuar është shprehje e guximit që kanë marrë kriminelët e azdisur për të sfiduar edhe me armë forcat ndërkombëtare të paqes dhe të sigurisë në Kosovë”. Sipas Krasniqit, “kjo politikë intervencioniste serbe është kërcënim i drejtpërdrejtë i integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit tonë”.

Tadiç: Të ruhen jetët e qytetarëve dhe ndërkombëtarëve

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar dje ndërprerje të menjëhershme të konfliktit ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe qytetarëve serbë në fshatin Jagnjenicë. “I ftoj zyrtarët e KFOR-it, EULEKS-it dhe përfaqësuesit politikë të serbëve në qetësimin momental të situatës dhe sigurinë e plotë të lirisë së lëvizjes, vetëm nëpërmjet dialogut dhe pa përdorim të dhunës”, tha Tadiç.

Ushtarët e plagosur të KFOR-it trajtohen në Bondstill

Zëdhënësi ushtarak gjerman Manfred Baumgartner i tha agjencisë AP se oficeri dhe ushtari i plagosur shërbejnë në Bundesver. Zëdhënësi tha se ata janë qëlluar nga masa e protestuesve serbë. Të dy ata janë dërguar në bazën ushtarake amerikane Bondstill, në pjesën lindore të Kosovës, për trajtim, pohojnë burime të NATO-s. NATO tha se ushtarët janë instruktuar që të përgjigjen me municion të vërtetë, nëse sulmohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›