Gruevski letër Papadhimos: Na ndihmoni me integrimin në BE
Kryeministri i Maqedonisë sugjeron që paralelisht të vazhdojnë edhe negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Gruevski thotë se mes Greqisë e Maqedonisë mund të zbatohet një model pozitiv dhe të zgjidhen problemet dypalëshe.
Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski i ka dërguar një letër kryeministrit grek Lukas Papadhimos, në atmosferën e hapjes së negociatave mes Maqedonisë dhe Bashkimit Europian. Gruevski në letrën e tij thekson nevojën për zgjerimin e BE-së me vendet e Europës Juglindore, duke theksuar se në bazë të reformave që ka bërë vendi, Komisioni Europian për të tretin vit radhazi, sugjeron hapjen e negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë. Kryeministri i Maqedonisë e ndërmerr këtë nismë pasi Greqia është anëtari më i vjetër i vendeve të BE-së në rajon dhe ka marrë iniciativën për "Axhenda 2014", që mbështet politikën e zgjerimit të BE-së për vendet e Ballkanit. "Në këtë kontekst," thotë z. Gruevski në letrën drejtuar homologut grek Papadhimos, "Greqia mund të kontribuojë në mënyrë vendimtare në rifillimin e procedurave për pranimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE." "Mbështetja juaj për hapjen e negociatave për anëtarësim, do të kontribuojë në dinamikën e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit," thotë Gruevski në letrën drejtuar Papadhimos. Gruevski vëren më tej se hapja e negociatave për anëtarësim të vendit të tij në BE mund të kontribuojë pozitivisht për të kapërcyer "dallimet bilaterale" në mes të një vendi anëtar të BE-së dhe një kandidati për anëtarësim në këtë union. "Unë jam i bindur që dy vendet tona mund ta zbatojnë këtë model pozitiv", shton Gruevski dhe thekson se një zhvillim i tillë "do të kontribuojë për të ndërtuar besimin reciprok, i cili është i nevojshëm për të zgjidhur kontestet bilaterale mes dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit europian". Kryeministri i Maqedonisë sugjeron që paralelisht të vazhdojnë edhe negociatat për një zgjidhje të çështjes së emrit. "Unë, edhe një herë bëj apel për qeverinë tuaj, e cila gëzon mbështetje të gjerë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi unike për të mbështetur negociatat e pranimit në Bashkimin Europian në dhjetor, dhe për të rritur përfitimet nga procesi i zgjerimit në rajonin tonë", përfundon Gruevski në letrën drejtuar Kryeministrit grek.