E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshjet në Veri, serbët plagosin dy ushtarë gjermanë të KFOR-it

Plagët me armë zjarri. Të plagosurit në bazën amerikane të Bondstillit. NATO urdhëron që, nëse ushtarët e KFOR-it sulmohen sërish, të përdorin plumba të vërtetë.

Dy pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në veriun e Kosovës, gjatë një përleshjeje me protestuesit serbë. Zyrtarët e NATO-s thanë se kanë përdorur plumba gome, gazin lotsjellës dhe topat e ujit për të shpërndarë protestuesit serbë që po kundërshtonin një operacion të ndërmarrë dje në mëngjes për largimin e një barrikade në afërsi të Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe në Veri. Paqeruajtësit përdorën makineri të rënda për të larguar kamionët dhe autobusët e përdorur nga serbët për të bllokuar rrugën që çon në njërin nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një zëdhënës i KFOR-it tha se gjatë operacionit një ushtar është qëlluar me armë zjarri në krah, ndërsa një tjetër në këmbë. Përfaqësuesit e serbëve në Veri thanë se dhjetëra protestues kanë kërkuar ndihmën e mjekut, për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar gjatë përplasjeve të djeshme, po asnjëri nuk është në rrezik. Ata akuzuan KFOR-in për ato që ata quajtën veprime të njëanshme. Por zyrtarë të KFOR-it thanë se operacioni për mënjanimin e barrikadës është në kuadër të mandatit të tyre për vendosjen e lirisë së lëvizjes. Prej katër muajsh, serbët kanë bllokuar rrugët kryesore në veriun e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë. Përplasja e djeshme pason atë të 24 nëntorit, kur 21 ushtarë të KFOR-it pësuan lëndime pas përpjekjeve për të larguar një barrikadë në veri të Kosovës. Që pas aksionit për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën në mes të muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të jenë disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›