Kosovë, OSBE nuk do t‘i vëzhgojë zgjedhjet
Zgjedhjet komunale të 15 nëntorit nuk do të vëzhgohen dhe monitorohen nga ana e OSBE-së, për shkak se kjo organizatë ka qëndrim neutral ndaj statutit të Kosovës. Kjo është bërë e ditur pak javë pasi opozita në Kosovë i ka bërë kërkesë publike OSBE-së që, jo vetëm të monitorojë, por edhe të marrë rol ekzekutiv në zgjedhjet e ardhshme komunale. Zyrtarë të misionit të kësaj organizate në Kosovë thonë se kjo organizatë nuk do të ketë vëzhgues, as monitorues në Kosovë për zgjedhjet e 15 nëntorit. "OSBE nuk mund t‘i vëzhgojë e as t‘i monitorojë zgjedhjet, sepse mandati i saj është ngritja e kapaciteteve të institucioneve", tha Edita Buçaj, zëdhënëse e këtij misioni. Nuk dihet nëse do të veprojë njësoj edhe Këshilli i Europës. Kjo organizatë çdoherë ka dërguar misione disamujore vëzhgimi në Kosovë, por për zgjedhjet e ardhshme komunale është duke heshtur. Edhe Këshilli i Europës, njësoj si OSBE, nuk ka ndonjë qëndrim për sa i përket statusit të Kosovës, prandaj ka marrë pozicion "neutral". Gjatë viteve të administrimit të Kosovës nga ana e OKB-së, ka qenë shefi i UNMIK-ut ai që është përkujdesur t‘i shkruajë Këshillit të Europës kërkesën për dërgim në Kosovë të një misioni vëzhguesish. Për OSBE-në nuk ka pasur nevojë, sepse ajo vetë ka qenë në rolin e organizatores së zgjedhjeve të Kosovës, si kompetente për ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Ministri i Pushtetit Lokal në Kosovë, Sadri Ferati, tha se zgjedhjet komunale gjithsesi do të vëzhgohen nga ndërkombëtarët. Nëse jo OSBE, atëherë ai shprehet i sigurt se Këshilli i Europës do ta bëjë këtë. "Zgjedhjet në Kosovë patjetër që do të monitorohen nga bashkësia ndërkombëtare, duke marrë parasysh edhe prezencën ndërkombëtare në vend", tha ministri Ferati. Ai është i vetëdijshëm për "telashet" me të cilat përballet selia e OSBE-së në Vjenë për shkak të mungesës së konsensusit brenda organizatës. Serbia dhe Rusia, si anëtare me të drejta të plota, pritet ta bllokojnë çdo nismë eventuale për të dërguar mbështetje për zgjedhjet që organizohen nga institucionet e Republikës së Kosovës. "Unë kam informacione që Këshilli i Europës do të ketë mision vëzhgimi, por nuk kam shumë informacione për formën dhe mënyrën e pranisë", tha më tej ministri. Zgjedhjet e 15 nëntorit do të nxjerrin në jetë edhe pesë komunat e reja me shumicë serbe, themelimi i të cilave parashikohet me procesin e decentralizimit sipas Pakos së Ahtisaarit. Sido që të jetë, ministri Sadri Ferati thekson se nuk vihet në pyetje kredibiliteti i zgjedhjeve të ardhshme, të parat që Kosova i mban pas shpalljes së pavarësisë, nëse ato organizohen si duhet.