E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, këmbëngulëse për paqen në Lindjen e Mesme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar ndihmën e Sirisë për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme. Të paktën kështu tha i dërguari amerikan në Lindjen e Mesme, George Mitchell. Ai deklaroi se bisedimet me Presidentin e Sirisë, Bashar Assad, ishin pozitive dhe të sinqerta. Më tej u shpreh se fillimi i bisedimeve të paqes mes Sirisë dhe Izraelit ishin shumë pranë arritjes. Më pas Mitchell do të niset për në Izrael, për t‘u përpjekur për rinisjen e bisedimeve izraelito-palestineze. Kjo ishte vizita e dytë e Mitchell në Damask që prej qershorit, çka tregon qartë përpjekjet e Obamës për paqen në Lindjen e Mesme, që nga koha kur ai ka marrë detyrën. Ai tregoi se i pati thënë Presidentit sirian, Bashar Assad, se Barak Obama ishte i vendosur për të ripërtërirë procesin arabo-izraelit. "Nëse duam të diskutojmë, ne kemi nevojën e arabëve dhe izraelitëve të punojmë së bashku për arritjen e paqes. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me qeverinë e Republikës Arabe të Sirisë në këtë përpjekje historike. Amerika është e vendosur të ndihmojë në arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse arabo-izraelite", tha Mitchell, pas bisedimeve në Damask. "Kjo do të thotë paqe mes palestinezëve e izraelitëve, mes Sirisë e Izraelit dhe mes Libanit e Izraelit e sigurisht, normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Izraelit dhe gjithë vendeve të rajonit". Edhe pse nuk pritej arritja e ndonjë marrëveshjeje, apo ndonjë vendimi të menjëhershëm, zyrtarët sirianë e pranuan se ishin inkurajuar së tepërmi nga gatishmëria e Uashingtonit për procesin delikat në këtë rajon. Një prej këshilltareve të Presidentit sirian Assad, Butheina Shaaban, e pranoi se bisedimet me zotin Mitchell kishin qenë vërtet pozitive dhe inkurajuese. "Takimi u karakterizua nga një frymë miqësore dhe pozitive. Mes të dyja vendeve, Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka nisur të fryjë era e dialogut dhe shpresojmë që do të vazhdojë kështu". Damasku është një nga "aktorët" më të rëndësishëm në këtë rajon, për shkak të mbështetjes së tij për grupin militant palestinez Hamas, përkrahjen e tij për Hezbollahët në Liban dhe lidhjet e ngushta me Iranin. Në të kaluarën kjo e bëri Sirinë një vend armik për administratën "Bush", e cila shkëputi çdo lloj lidhjeje me këtë vend. Edhe pse duket se Uashingtoni është shumë larg arritjes së qëllimit për ta pasur Damaskun në anën e tij, duket se atmosfera armiqësore mes dy vendeve që mbizotëronte në epokën e Bushit është lënë pas. Ndërsa Agjencia Shtetërore Siriane e Lajmeve citonte fjalët e Presidentit Assad, që i drejtohej Michell: "E drejta arabe për të rimarrë tokat e pushtuara mund të bëhet vetëm përmes arritjes së plotë të paqes".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›