E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje e armatosur mes policisë dhe terroristëve, vriten 42 persona

Të paktën 42 persona kanë vdekur në një përleshje të armatosur mes forcave të sigurisë dhe një grupi radikal islamik në verilindje të Nigerisë, bënë të ditur agjencitë më të mëdha të lajmeve në botë. Qindra njerëz sulmuan një rajon policie në qytetin e Bauchit, por më pas u zmbrapsën, njofton agjencia e lajmeve "Reuters". Kjo agjenci, që citon një zëdhënës policie, tregoi se militantët i përkisnin grupit islamik filotabelan "Boko haram", që kërkojnë detyrimin e ligjit të Sheriatit në të gjithë Nigerinë. Në të vërtetë, ky ligj islamik është vendosur në qytetin e Bauchit që prej vitit 2001. Po ashtu, sipas raportimeve, dhjetëra njerëz të tjerë mbetën të plagosur në këtë përleshje të armatosur. Zëdhënësi i policisë, Mohammed Barau, deklaroi se situata u vendos shpejt nën kontroll dhe një numër i madh rebelësh u arrestuan. Një prej anëtarëve të grupit, i cili u prezantua me emrin Abdullah, tregoi se ata u kundërpërgjigjën me zjarr, sepse autoritetet policore arrestuan liderët e tyre. Ai mendohet të ketë thënë gjithashtu se grupi dëshironte të "pastronte sistemin nigerian, i cili është ndotur nga të edukuarit perëndimor dhe vendosjen e ligjit të Sheriatit në të gjithë vendin". Në shkurt, Bauchi u bë skena e përplasjeve mes komuniteteve myslimane dhe atyre të krishtera, nga e cila kanë mbetur të vdekur katër persona. Nigeria ka një popullsi prej 140 milionë njerëzish të ndarë në mënyrë të barabartë mes myslimanëve dhe të krishterëve. Dihet se këto grupe jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin. Talebanët nigerianë, të shfaqur në 2004-ën, mendohet se i kanë bazat e tyre në fshatin Kanamma, një vend në kufi me Nigerin. Thuhet se ata janë studentë që kanë braktisur studimet dhe kërkojnë të krijojnë një shtet islamik në veri të vendit. Gjatë tremujorit të fundit, operacionet e policisë nigeriane kundër islamikëve ekstremistë janë intensifikuar, gjë që ka sjellë edhe reagimin nga ana e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›