E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX arreston 2 ish-anëtarët e UÇK për mosparaqitje në gjykatë

PRISHTINË- Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy ish-anetarë të UÇK-së për mos paraqitje në gjykatë. Me kërkesë të Prokurorisë së EULEX-it, është arrestuar Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe Sefedin Zuka nga Ferizaj, po ashtu ish-anetar i UÇK. Sipas mediave, që të dy janë dërguar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Qeriqi ka thënë se nuk do të paraqitet në gjykatë, sepse nuk i beson drejtësisë së EULEX-it dhe se ky proces është i motivuar politikisht. Misioni evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX-i i kishte thirrur dy ish anetarët të UCK-së të paraqiteshin në seancë gjyqësore në lidhje me sulmin ndaj ndërtesës së Qeverisë, të bërë në korrik të vitit 2009, ndërsa protestonin për të drejtat e tyre.

Gjatë protestave u hodh një koktej molotovi drejt selisë së Qeverisë, gjë që paraqet dëmtim të pronës dhe për këtë, sipas EULEX-it, ata duhet të paraqiten në gjykatë. Ndërkohë EULEX ka lëshuar fletarreste edhe për shtatë ish-anetare të UÇK-së që morën pjesë në protestat para ndërtesës së Qeverisë.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›