E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX arreston një IT lidhur me "Rastin Limaj"

Policia e EULEX-it ka arrestuar sot një zyrtar të Teknologjisë Informative (IT) në Ministrinë e Administratës Publike.

Burime të sigurta të Expressit nga policia, të afërta me hetimet, tregojnë se i arrestuari është Gani Zogaj.

“Ai është arrestuar në vendin e tij të punës nga policë të EULEX-it”, thotë ky burim, duke mos dhënë hollësi të tjera.

Ministria e Administratës Publike, në mes tjerash, është përgjegjëse edhe për arkivimin e dokumenteve të të gjitha ministrive, në mënyrë të shkruar dhe elektronike.

Kështu, përveç ministrive përkatëse, MAP është institucioni i cili ruan dokumentet e ndryshme, përfshirë edhe procedurat dhe të dhënat tjera përcjellëse të tenderëve të ndryshëm.

Të kontaktuar nga Express, zyrtarë të MAP-it nuk qenë në gjendje të japin asnjë sqarim lidhur me rastin, me arsyetimin se nuk kanë asnjë informacion.

Ndërkohë, Expressi ka mësuar se brenda disa orëve, MAP pritet të lëshojë një komunikatë për media ku do të sqarohet pak më tepër kjo çështje.

Duke mos treguar identitetin te arrestuarit, sipas njoftimit të EULEX-it, bastisja e shtëpisë së këtij personi, dhe arrestimi i tij, është bërë lidhur me hetimet që janë duke vazhduar për Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

"Bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës. I pandehuri është arrestuar dhe akuzohet për pengim në mbledhje të provave. Ai aktualisht gjendet në paraburgim policor të autorizuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK)", thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Pasdite, edhe Ministria e Administratës Publike ka konfirmuar nëpërmes një komunikate shtypi se nga policia e EULEX-it, është arrestuar Gani Zogaj, zyrtar i Departamentit të e-Qeverisjes dhe Proceseve Administrative në këtë ministri.

MAP ka shprehur angazhimin e saj për sundimin e ligjit në vend, si dhe rikonfirmon gatishmërinë e saj që të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›