E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i shkon te ‘Daja’

Policia e EULEX-it ka bastisur të mërkurën në mëngjes shtëpinë e ish-Komandantit të UÇK-së, Azem Syla, në fshatin Kishnarekë të Drenasit.

Rreth orës 10 e mëngjesit, gjashtë vetura të EULEX-it së bashku me rreth 15 policë hetues, të mbikëqyrur nga prokurori i EULEX-it, kanë bastisur shtëpinë e Sylës, për më shumë se tri orë.

Në momentin kur policia e EULEX`-it ka arritur në shtëpinë e tij në Kishnarekë, askush nga familjarët e Azem Sylës nuk ka qenë në shtëpi.

Ish-Komandanti i UÇK-së, Azem Syla së bashku më familje, përveç një djali të tij, gjenden tash e disa ditë për pushime verore në Shqipëri.

Burime të Expressit kanë thënë se i vetmi djalë i Sylës është detyruar të hapë dyert e shtëpisë për policinë e EULEX-it. Djali i Azem Sylës, sipas këtij burimi, ishte nisur për një dasmë te disa të afërm të familjes.

Hetuesit e EULEX-it dhe policia kanë qenë të pajisur edhe me doreza të bardha, por pa maska dhe ishin të veshur me rroba civile.

Bastisjet në shtëpinë e Azem Sylës, i njohur si Komandat “Daja”, sipas zyrtarëve të EULEX-it, janë të ndërlidhura me rastin “Bllaca”.

Ata kanë sqaruar se nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK-së), Policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e ish-Komandantit të UÇK-së, Azem Syla.

“Bastisja është autorizuar nga gjykatësi i Procedurës Paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Një prokuror special i EULEX-it është i pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar mbledhjen e efektshme të materialit dëshmues dhe të japë shpjegime të plota për personat e pranishëm në vendngjarje”, kanë thënë zyrtari për media i EULEX-it.

Pasi kanë kryer të gjitha bastisjet në shtëpinë e Azem Sylës, hetues të EULEX-it kanë marrë me vete disa dokumente në një qese të bardhë si dhe disa plumba të revoles.

Pasi nuk e kanë gjetur në shtëpi, zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se kanë lënë një ftesë për paraqitje, për Azem Sylën, i cili brenda shtatë ditësh, nga e mërkura, duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Pas përfundimit të bastisjes të shtëpisë së ish-Komandantit të UÇK-së, është dorëzuar ftesa për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale. I dyshuari duhet të paraqitet një javë nga data e dorëzimit të ftesës”, kanë thënë zyrtarë të EULEX-it.

I kontaktuar të mërkurën nga Expressi, Azem Syla, nga Shqipëria ku është për pushime, ka thënë se do të paraqitet në Prokurori, sapo të mbërrijë në Kosovë.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që ai të mos e bëjë këtë. “Po, patjetër se do të paraqitem në Prokurori në fillim të javës së ardhshme. Unë në këto momente jam duke kaluar pushimet në Shqipëri dhe se në fillim të javës së ardhshme, do të paraqitem në Prokurori”, ka thënë Syla, ish-Komandant dhe njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Syla e ka konfirmuar për Express se në momentin kur policia e EULEX-it ka hyrë në shtëpinë e tij në Kishnarekë, askush nga familjarët e tij nuk ka qenë prezent. “Ka qenë vetëm djali, por ai në ato momente është kthyer dhe i ka hapur dyert e shtëpisë”, ka sqaruar Azem Syla.

Expressi ishte në vendin e ngjarjes gjatë bastisjes së shtëpisë së Azem Sylës, kur hetuesit e EULEX-it nga aty kanë marrë disa gjëra të cilat megjithatë, ka qenë e vështirë të identifikohen se çfarë ishin.

I pyetur nëse ka kuptuar se çfarë kanë marrë nga shtëpia e tij, Azem Syla thotë se nuk ka dijeni për gjërat që ka mundur t`i konfiskojë EULEX-i në shtëpinë e tij, por shprehet të jetë i sigurt se aty nuk ka pasur asgjë që mund të konfiskohet. “Nuk e besoj se kanë pasur ndonjë gjë që kanë mundur të marrin, meqë nuk ka asgjë në lidhje me këtë rast”, ka thënë Azem Syla për Express.

Tomë Gashi, avokat i Azem Sylës, ka thënë se klienti i tij gjithmonë ka kërkuar që drejtësia të merret me Nazim Bllacën. “Azem Syla gjithmonë ka kërkuar që drejtësia të merret me Nazim Bllacën, sepse është tentuar të dëmtohet imazhi i njërit prej themeluesve dhe udhëheqësve të UÇK-së.
Ne jemi njoftuar për ftesën që Azem Syla të paraqitet më 4 gusht në Prokurori”, tha avokati Gashi për Express.

Kundër bastisjes së shtëpisë së Azem Sylës ka reguar edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. “Të indinjuar e të pakënaqur me këto veprime të padrejta, ne konsiderojmë se këto janë shkelje të dinjitetit të të gjithë luftëtarëve të UÇK-së”, thuhet në reagim.

Emri i Azem Sylës, ish-Komandantit të UÇK-së, përmendet nga Nazim Bllaca, i cili publikisht, në xhirimin e shpërndarë, ka deklaruar se ka punuar si agjent i ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Në këtë deklarim publik, Bllaca e bën përgjegjës veten për vrasje, dhunime, tentim vrasje e tortura, të cilat pretendon se i ka kryer duke zbatuar urdhrat e Azem Sylës.

“Unë, Shpresim Uka, Faruk Gashi, Sadik Abazi dhe Driton Hajdari, në tri fusha kemi punuar... Kemi pasur për t’i ndjekur kokat e LDK-së, ku nuk ka pasur në ato komuna dhe nuk ka mundur të lëvizë asnjë hap PDK-ja, kanë qenë Besiana dhe Ferizaj, në rrafshin e Kosovës. Është fjala për Ferizajn, ku kokë e LDK-së ka qenë Adem Salihaj, e në Besianë, Agim Veliu dhe Ejup Visoka, këta janë tre personat, tri figurat që, gjithmonë, sipas Azem Sylës, është dashur të ekzekutohen për arsye se kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror të Serbisë”, ka thënë Bllaca në CD-në e tij të shpërndarë medieve në nëntor të vitit të kaluar.

Ai po ashtu përmend edhe disa takime me Azem Sylën në vitin 2006, në një pompë të benzinës në Sllatinë. Sipas tij, Azem Syla i ka atij një shumë të borxhit të parave për t`ia dhënë, për vrasjet që vetë Bllaca i ka bërë, por që në vitin 2006 ka acaruar dhe prishur marrëdhëniet me Azem Sylën dhe Ferat Shalën.

“I kam prishur marrëdhëniet në vitin 2006 dhe kam kërkuar që të takohem në prill të vitit 2006 me Azem Sylën dhe jam takuar te “Ana Benz”. Aty ia kam vizatuar 17 vrasje, plagosje, përgatitje të atentateve dhe atentate. Azem Syla këtë e ka thënë direkt, kemi qenë vetëm unë dhe ai. Më ka kontrolluar mos kam telefona. Kam hyrë në “Ana Benz” që është e tij, në një zyrë ku shkruan “rezervim”, kam biseduar në mënyrë direkte dhe më ka thënë që çka të duash të bëj në nivelin komunal, në nivelin qendror rreth vrasjeve, tentim vrasjeve të anëtarëve të LDK-së, Ibush Kllokoqit, Selim Broshit dhe Ismetit nga Nëntë Jugoviqi, ti nuk bën të lëvizësh këta, m’i kanë pasë obligim 220 mijë euro”, thotë Nazim Bllaca në CD-në e tij.

Bllaca po ashtu në deklarimin e tij thotë se në vitin 2007, në Stacionin numër 2 të policisë e ka paraqitur Faruk Gashin, për të cilin thotë se ka bërë biznes me të dhe se Gashi i ka borxh Bllacës një shumë prej 220 mijë eurosh obligim.

“Ka dëgjuar Azem Syla dhe më ka njoftuar që të takohem me të. Jam takuar me Azem Sylën e Shpresim Ukën dhe Azem Syla në maj të vitit 2007 ka thënë kështu, po citoj: ‘Unë jam Azem Syla dhe unë do ta kryej obligimin ndaj teje’. Mirëpo, këta nuk e kanë kryer obligimin dhe kanë filluar parapërgatitjen e atentatit ndaj meje”, ka pohuar Nazim Bllaca, i cili aktualisht është nën arrest shtëpiak dhe sigurohet nga Policia e EULEX-it.

Nazim Bllaca ka deklaruar se në shtator të vitit 2007, është përgatitur vrasja kundër tij dhe paratë janë lëshuar nga Azem Syla, Shaban Syla e Faruk Gashi. “100 mijë euro i janë dhënë Hysri Ramës ish-polic i SHPK-së, nga fshati Sankofc, komuna e Drenasit. Me të marrë paratë, Hysri Rama më ka thënë: ‘Nazim Bllaca, duhet të largohesh nga Kosova, sepse Azem Syla nuk do të të lejojë të veprosh në Kosovë’, ka deklaruar Bllaca.

Në lidhje me rastin “Bllaca”, deri më tash EULEX-i është duke i mbajtur nën arrest, përveç vetë Nazim Bllacës, edhe Faruk Gashin e Driton Hajdarin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›