EULEX edhe 2 vite në Kosovë, Ashton: Vendimi pas kërkesës së Jahjagës

EULEX-i do të qëndrojë në Kosovë së paku deri nga mesi i vitit 2014. Shefja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Caterine Ashton, ka pranuar kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, për vazhdimin e mandatit të këtij misioni.
Në letrën e baroneshës Ashton, siç raportojnë mediat kosovare, thuhet se EULEX-i do t`i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në veprimin e përbashkët për Misionin e BE-së, i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 4 shkurt 2008.
Aty po ashtu theksohet se EULEX-i do t`i ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejmë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe shumetnikë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dje i ka dërguar letër baroneshës Ashton, me të cilën i kërkonte vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe veprimin e tij në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, e jo sipas rezolutës 1244.
Në letrën e Presidentes thuhet se Kosova e mirëpret praninë e Misionit të BE-së dhe se pjesëtarëve të këtij misioni dhe përfaqësuesit special të BE-së u jepet statusi, privilegji dhe imuniteti i barasvlershëm me përcaktimin nga Konventa e Vjenës.
Pritet që këto letërkëmbime të zyrtarizohen sot dhe zyrtarisht EULEX-it t`i vazhdohet mandati të premten, kur deputetet do votojnë për këtë.