EULEX, goditet sërish
Dhënia e shtëpisë me qira nuk i doli shumë me fat familjes Fetahu nga lagjja Bregu i Diellit në Prishtinë. Mëngjesi i së martës kishte trazuar këtë familje, e cila nga dita e diel, katin e dytë të shtëpisë ua kishte lëshuar dy zyrtarëve të EULEX’it për banim.
Ishin pikërisht makinat e këtyre dy banorëve të rinj, që u bënë shkak i sulmit, nga i cili gati sa nuk pësoi edhe familja e Hekuran Fetahut, apo fqinjët e tij, i cili që nga mëngjesi i hershëm, në orën 4 e 30 të ditës së martë, nuk kishte vënë më gjumë në sy.
Kjo pasi në atë kohë, Hekurani thotë të ketë vërejtur që makinat të cilat ndodheshin të parkuara shumë pranë shtëpisë së tij, kanë nisur të marrin flakë. “Kur dola në oborr, e pashë që ishin makinat e banorëve që ndodhen në shtëpinë time që nga dita e diel. Gjithçka nisi rreth orës 4 e 30 në mëngjes”, rrëfen Hekurani për Express.
Ai tregon se flaka që po dilte nga veturat nuk ka shkaktuar vetëm panik te familja e tij dhe banorët e lagjes. Hekurani thotë të ketë ndjerë frikë, ngase zjarri kishte marrë përmasa të mëdha.
“E kam parë se kishin nisur të digjen edhe degët e luleve që ishin shumë pranë makinave. Afër këtyre luleve ndodhen edhe drutë”, tregon ai. “Por oborri dhe shtëpia ka shpëtuar falë intervenimit të shpejtë të policisë dhe zjarrfikësve”, pohon Hekuran Fetahu.
Sipas tij, në fillim i është vënë zjarri njërës veturë, e më pas ka marrë flakë edhe vetura tjetër. “Të dyja veturat kanë qenë të dy zyrtarëve të EULEX-it, të cilët nuk ka as dy ditë që kanë filluar të banojnë tek unë”, sqaron Hekurani, i cili ka qëndruar jashtë shtëpisë, derisa zjarrfikësit kanë shuar komplet zjarrin.
“Derisa po qëndroja jashtë, dëgjova një polic të ketë gjetur pak metra larg shtëpisë sime një shishe të zbrazët, së cilës i vinte era benzinë”, pohon Hekurani.
Rastin e ka konfirmuar edhe policia, e cila me të marrë informacionin, ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra për informim e PK-së, rasti në polici është shënuar të ketë ndodhur rreth orës 5 në mëngjesin e së martës.
“Policia ka marrë informatën lidhur me një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në rrugën “Ferat Draga”, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, me ç’rast janë djegur në masë të konsiderueshme dy vetura të EULEX-it, të tipit ‘Nissan Pathfinder’, të cilat atë moment ishin të parkuara skaj rrugës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në të njëjtën kohë, në vendngjarje kanë dalë edhe pjesëtarët e sigurimit të EULEX-it, si dhe zjarrfikësit, të cilët e kanë lokalizuar zjarrin. Përveç policisë dhe zjarrfikësve, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë, si dhe njësitet e tjera rajonale të specializuara për ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe hetimin e rasteve të tilla. “Policia po merret me të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të identifikimit të personave të dyshuar”, ka thënë policia, përderisa po i pret rezultatet përfundimtare nga ekspertimi i evidencave të marra nga vendi i ngjarjes me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast. Jozyrtarisht, dyshohet se tre persona i kanë vënë zjarrin veturës dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.
Kjo nuk është hera e parë që makinat e misionit të EULEX-it, janë cak i sulmeve në të njëjtën lagje në Prishtinë. Një rast edhe më i rëndë ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, me ç’rast atëkohë është sulmuar një veturë në lëvizje në lagjen Bregu i Diellit, ndërsa xhami i pasmë i veturës është thyer. Polici i cili ndodhej brenda veturës në kohën e sulmit, ishte James Albrecht, shefi i Departamentit të Ekzekutimit të Policisë së EULEX-it. Veturat e këtij misioni dikur ishin rrotulluar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
Reagon MPB
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nëpërmjet një komunikate shtypi, e ka dënuar fuqishëm aktin vandal të djegies së dy veturave të misionit të EULEX-it. “MPB-ja fton Policinë e Kosovës të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e këtij rasti dhe sjelljen e shkaktarëve të këtij akti vandal, para organeve të drejtësisë”, thuhet në reagimin e MPB-së. “Sulme të tilla ndaj personelit dhe pronës së EULEX-it janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.