Thaçi: FMN nuk ndikon në autostradë

(E plotësuar) Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi së bashku me ambasadorët e shteteve të Quintit dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, kanë inspektuar punimet në autostradë nga seksioni i tretë e deri tek ai i pari. Shefi i ekzekutivit të vendit ka vlerësuar lartë punën që është duke u bërë në këtë projekt.
Thaçi për të treguar punën e cila është duke u bërë në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka ndalur ambasadorët tri herë në seksione të ndryshme. Me këtë rast kryeministri ka thënë se kjo është një vepër jashtëzakonisht e rëndësishme për zhvillimin ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mirëqenien qytetare.
Për më tepër ai ka shtuar se në këtë projekt janë duke punësuar rreth 2000 punëtorë lokal, rreth 60 kompani kanë realizuar rreth 100 kontrata me konzerciumin “Bechtel & Enka”.
Madje ai ka shtuar se gjithçka është duke shkuar sipas planifikimit dhe 38 kilometra e parë do të përmbyllen më 30 tetor të këtij viti dhe pastaj do të vazhdohet me seksionin e pestë në drejtim të Prishtinës dhe Merdarës.
I pyetur nga mediat nëse marrëveshja e re me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të ndal punimet në autostradë, një gjë të tillë e ka mohuar shefi i ekzekutivit të vendit.
“Qeveria e Kosovës dhe FMN-ja janë partner, kanë ndodhur ridizajnime dhe një riformulim i marrëveshjes, rrogat do të vazhdojnë të jepen me rritje maksimale, siç i kemi premtuar dhe kemi filluar t’i japim. Autostrada do të vazhdojë me intensitet e planifikuar, gjithashtu të gjitha projektet e tjera do të vazhdojnë. Andaj edhe unë i garantojë qytetarët e Kosovës se çdo cent i premtuar për Kosovën do të vjen në mënyrë meritore siç e kemi merituar, për t’i fituar dhe për t’i implementuar, pra do të vazhdojmë me projekte, por edhe me marrëveshjen”, ka theksuar Thaçi.
Nga ana tjetër, Fernando Gentilini, përfaqësues i BE-së në Kosovë ka qenë impresionuar me punën që është duke u bërë në këtë autostradë.
“Ne u ndamë të impresionuar me atë qe pamë se çka është duke u ndërtuar në këtë rrugë. Është bërë më të vërtet një punë shumë e madhe, prandaj përgëzojë institucionet për punën dhe besoj qe do të vazhdohet me këtë ritëm. Ju dëshirojmë fat!”, ka theksuar Gentilini.
Ndërsa i pyetur rreth deklaratës së presidentit serb, Boris Tadiq, ku thotë se Shqipëria dhe Serbia duhet të bisedojnë për ndarjen e Kosovës, Thaçi ka theksuar se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë vetëm si dy shtete të pavarura.
“Republika e Kosovës është duke zhvilluar takimet e nivelit teknik me Serbinë, andaj në këtë drejtim ne duhet t’i dhamë mbështetje të plotë BE-së që kanë fasilituar këto takime për çështje teknike. Prishtina do të jetë shumë e përgjegjshme në kuptimin e përmbylljes me sukses të këtyre çështjeve që janë për t’u diskutuar në interesin e të dyja shteteve, popujve tanë. Ky dialog është agjendë evropiane, euroatlantike dhe ne do të jemi të përgjegjshëm. Por Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka institucionet e veta legjitime, andaj edhe raportet tona bilaterale do të jenë bilaterale me Serbinë si dy shtete të pavarura”, ka thënë Thaçi.
Për më tepër kryeministri nuk ka dashur të jap ndonjë shifër se sa ka kushtuar autostrada deri në seksionin e tretë, por ka thënë se gjithë autostrada do të kushtojë rreth 700 milionë euro.
Për inspektimin e autostradës kanë marr pjesë ambasadori britanez Ian Cliff, ai francez Jean Francois Fitou, italiani Michael Giffoni, ai gjerman Hans-Dieter Steinbach dhe përfaqësuesi e BE-së, Fernando Gentilini./kosovapress/