Mashtronin në emër të IPKO’s

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin e bazuar se duke u prezantuar si punëtorë të kompanisë së telefonisë mobile IPKO, i kanë mashtruar disa qytetarë në rajonin e Ferizajt. Policia bëri të ditur se të arrestuarit nuk kanë pasur autorizim nga IPKO për vendosje të antenave, metodë të cilën e kanë përdorur për të marrë para nga qytetarët.
Zyra për Informim e Policisë së Kosovës sqaroi se arrestimi i pesë të dyshuarve është bërë nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale të mashtrimit, e sanksionuar me nenin 161 te Kodit Penal të Kosovës.
Dy nga të dyshuarit janë boshnjakë dhe tre shqiptarë, që të gjithë shtetas kosovarë. Ata janë Abaz A. (1961, boshnjak), Sead B. (1979, boshnjak), Ibrahim I. (1945, shqiptar), Florim G. (1969, shqiptar) dhe Antigona. B (1985, shqiptare), e cila është liruar në procedurë të rregullt.
Në bazë të hetimeve të zhvilluara nga policia, shihet se të arrestuarit kanë bërë matjen me aparaturë gjeodeti në vendin ku gjoja kanë pasur të vendosin antenën, me qëllim që ta bindin ankuesin se kjo çështje është shumë serioze.
Duke dhënë detaje për rastin, thuhet se të dyshuarit në bashkëveprim tri ditë më parë në një fshat të rajonit të Ferizajt e kanë mashtruar qytetarin Bekim K. dhe ia kanë marrë 1000 euro.
“Të dyshuarit, duke u thirrur si punëtorë të kompanisë mobile IPKO, kinse bëjnë montimin e antenave valore, duke mashtruar ankuesin, kanë arritur t’ia marrin 1000 euro. Sipas marrëveshjes, ankuesi ishte obliguar t’i paguante ndaj këtyre të dyshuarve edhe 5000 euro të tjera, para të cilat ishin të gatshme për t’ua dorëzuar të dyshuarve”, sqaron Policia.
Bekim K. ka qenë ai që e ka paraqitur rastin në Polici dhe menjëherë më pas, hetuesit e krimeve ekonomike kanë kontaktuar zyrën ligjore të IPKO-s në Prishtinë. Nga informatat e marra nga kjo zyrë, është konstatuar se personat në fjalë nuk kanë qenë të autorizuar për vendosje të antenave.
Po ashtu, në bazë të hetimeve dhe mbledhjes së informatave në terren, është mësuar se të dyshuarit, të njëjtat veprime (mashtrime ) i kanë bërë edhe në dy lokacione të tjera.
“Ata ua kanë marrë dokumentacionin pronarëve të tokave për t’iu vendosur gjoja antenat e IPKO-s dhe të njëjtëve u kishin kërkuar nga 6000 euro. Është kuptuar se edhe viktima tjetër e këtyre të dyshuarve ka bërë kërkesë në bankë për të marrë kredi prej 6000 eurosh për t’ua dhënë të dyshuarve, duke mos e ditur se janë mashtrues”, bën të ditur Policia.
Te të dyshuarit janë gjetur prova materiale, si dokumentacione të bizneseve, shënime të personave që kanë tentuar t’i mashtrojnë, kopje të ndryshme të letërnjoftimeve, certifikata të lindjes etj. Gjithashtu, policët pas bastisjeve, kanë gjetur edhe regjistra, të cilët çojnë në dyshimin se të arrestuarit e njëjtë kanë dhënë edhe para me fajde, por kjo pistë ende po verifikohet.
Me autorizim të kryeprokurorit publik komunal në Ferizaj, katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, për të vazhduar me proceduara të mëtutjeshme hetimore.
Reagimi i IPKO’s
Kompania IPKO iu bën thirrje të gjithë individëve dhe bizneseve në Kosovë që të mos bien pre e mashtrimeve nga persona që nuk përfaqësojnë kompaninë. “Çdo qytetari i Kosovës që dëshiron të bashkëpunojë me kompaninë IPKO, i sugjerojmë të drejtohet në pikat tona zyrtare të kompanisë”, thotë për Express Alban Kastrati, zëdhënës i IPKO’s. Në emër të kompanisë më të suksesshme telekomunikuese në vend, ai shpreh keqardhje ndaj personave që kanë mundur të dëmtohen nga persona të paautorizuar dhe beson se autoritetet përkatëse do të zgjidhin çdo rast, nga i cili ka mundur të dëmtohen qytetarët e pafajshëm.
Të arrestuarit
1. Abaz A. (1961)
2. Sead B. (1979)
3. Ibrahim I. (1945)
4. Florim G. (1969)
5. Antigona B. (1985)