EULEX, hesht për kritikat

Misioni i Bashkimit Europian për sundim të rendit dhe ligjit vepron në Kosovë tashmë rreth katër vjet, mirëpo as pas kësaj periudhe EULEX’i nuk po mund ta definojë mandatin që ka.
Kjo si pasojë e mosefikasitetit të këtij misioni, sidomos në veri të vendit, ku ende veprojnë lirshëm strukturat ilegale të Beogradit.
Shqetësime në lidhje me këtë ka shprehur madje edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen.
Mirëpo, në EULEX, preferojnë të heshtin kur ballafaqohen me kritikat që po iu adresohen nga zyrtarë, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë.
Arsyetimi i vetëm i dhënë nga Zëdhënësi i EULEX’it, Blerim Krasniqi, për Express të martën, ishte se misioni nuk i komenton deklaratat e Sekretarit Rasmussen.
“EULEX’i nuk komenton deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Sidoqoftë,
dje Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton është deklaruar lidhur me këtë çështje”, ka thënë Krasniqi për Express.
Përgjigje ndërkaq ka analisti Shkëlzen Maliqi, i cili e quajti të dështuar EULEX’in në përmbushjen e misionit që ka në Kosovë.
“Problemi është që nuk po e përmbushin obligimin e tyre edhe si duket do të përfundojë misionin pa e plotësuar realisht ashtu qysh është paraparë, nuk di si m’e komentue veçse si një presion edhe nga ana e NATO’s, në të vërtetë presion nga ata që te realizojnë deri në fund dhe të japin së paku ato kompetenca nga fundi i mandatit për atë çka ka ardhë ky mision në Kosovë”, ka thënë ai të martën për Express.
E, pakënaqësi në lidhje me aktivitetin e pakët të këtij misioni, tashmë kanë shprehur edhe liderët politikë vendorë.
Pas incidenteve të fundit në Veri të Mitrovicës, ku u vra një kosovar në banesën e tij te Tre Rrokaqiejt, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi madje ka kërkuar nga EUELX’i që “të ndezë motorin” dhe të kryejë funksionin që ka në veri të vendit.
Mirëpo, kjo si duket nuk i bëri misionarët e EULEX’it më aktivë.
E, analisti Maliqi e ka një shpjegim për këtë. Sipas tij, Qeverisë së Kosovës i mungon kredibiliteti për të kërkuar veprime të caktuara, për shkak të imazhit të keq që ka krijuar, sidomos për korrupsion.
“Shumë shpesh kritikohet edhe Qeveria në disa aspekte, edhe ne raportet e Bashkimit Europian, për shembull në luftën kundër korrupsionit dhe sigurisht këto janë edhe mangësitë e Qeverisë që janë të ndërlidhura me mosaktivitetin apo aktivitetin e pakët të EULEX’it si dhe mospajtimet”, ka thënë Maliqi.
Kritik për punën e EULEX’it në mënyrë permanente është shprehur edhe Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Ai së fundi ka thënë se EULEX’i deri më tani ka bërë vetëm parada.
Por as për kritikat e institucioneve vendëse, zyrtarë të EULEX’it nuk ka dhënë përgjigje për gazetën.
Analisti Maliqi nuk pret që EULEX’i të aktivizohet më shumë se që ka bërë deri më tani.
“EULEX’i ma së pari ka ardhë me mandat të mangët dhe një lloj kompromisi me Beogradin dhe me Kombet e Bashkuara dhe nuk e ka përmbushë as atë kompromis, e a përmbushet tash e tutje varet nashta edhe prej këtij presioni prej Brukselit, jo vetëm NATO’s, por zor të besohet”, ka thënë Maliqi.
Ndryshe, Brukseli i ka shtuar ditëve të fundit presionet karshi misionit të tij dhe institucioneve shtetërore të Kosovës për veprim më efikas në Veri.
Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE’së, Catherine Ashton ka deklaruar të hënën se janë në diskutim me përfaqësuesit e NATO’s për mënyrat e bashkëpunimit në pjesën veriore të Kosovës dhe krijimit të një plani veprimi, i cili do mundësonte reagimin adekuat në rast të situatave të paparashikuara, të cilat jo rrallë ndodhin në Veri të Kosovës.