E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli shpalos programin para bujqve ferizajas

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar aktivitetin e saj parazgjedhor për kryetar komune të Ferizajt. Kandidati për kryetar komune, Faton Topalli, i shoqëruar nga nënkryetari i Lëvizjes Shpend Ahmeti dhe nënkryetarja Aida Dërguti, bashkë me një grup aktivistësh e qytetarësh kanë vizituar fshatin Mirash, për të mësuar nga afër problemet me të cilat përballen bujqit e blegtorët e kësaj komune.

Topalli në bashkëbisedim me ta ka theksuar se sektori i bujqësisë është një nga sektorët që i është kushtuar rëndësi e veçantë në përpilimin e programit qeverisës për komunën e Ferizajt.

Ai ka shpalosur para tyre orientimet kryesore për zhvillimin e bujqësisë.

“Tri janë shtyllat kryesore ku programi ynë do të ndërhyjë për ta ndryshuar rrjedhën aktuale të gjërave, dyfishimi i subvencioneve, hapja e një zyre për orientim dhe këshillim dhe subvencionimi i produkteve strategjike. E para mund të bëhet shumë lehtë vetëm me kursime që Lëvizja jonë do të bëjë kur do ta ndalojmë luksin e salltanatin e pushtetarëve”, ka thënë Topalli.

Ai, po ashtu, ka thënë se 740 mijë euro mund të kursehen vetëm duke shmangur keqpërdorimet e korrupsionin në komunë. Sipas Topallit, zyra për orientimin dhe këshillimin bujqësor do të përbëhet prej agronomëve dhe ekonomistëve, ajo do t’i vizitojnë bujqit për t’u dhënë këshilla profesionale, por e njëjta do ta studiojë tregun për t’i udhëzuar ata se në cilën kulturë bujqësore është më e leverdishme të investojnë. Po sipas tij, varësisht nga studimi i kërkesës, komuna do të subvencionojë produktet strategjike.

Ndërsa, Shpend Ahmeti, nënkryetar i lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nga mbarë buxheti i Kosovës, zhvillimit të bujqësisë i është ndarë vetëm 1,5% e këtij buxheti, ndërkohë që dihet mirëfilli se mbi gjysma e popullsisë së Kosovës jeton në fshat. Ai ka pohuar se pushteti në Kosovë flet shumë për vlerat evropiane e integrimin, por ndryshe nga Qeveria në Kosovë, 1/3 e buxhetit evropian i ndahet bujqësisë.

Sipas drejtuesve të lëvizjes Vetëvendosje, për këtë subjekt politik bujqësia mbetët prioritet, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal për komunën e Ferizajt. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›