EULEX-i, vepron si Haga
Misioni i EULEX-it, mbetet në kërkim të zgjidhjes për heqjen e imunitetit deputetëve që janë nën hetime. Për realizimin e këtij qëllimi, pritet që të aktivizohet edhe diplomacia dhe zyrtarë nga BE-ja, të cilët do t`i shtojnë trysnitë mbi kryetarin e Kuvendit që të gjejë zgjidhje për imunitetin.
Kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, tashmë i ka informuar përmes një shkrese, kryeprokurorët e EULEX-it, se zbatimi i urdhërarrestit për një deputet kërkon mendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi deputetët i mbron imuniteti.
Sipas mediave kosovare, EULEX-i po synon që me arrestimin e parë të një deputeti të Kuvendit të Kosovës, të krijohet precedent edhe për raste tjera që besojnë se do të ketë në të ardhmen e afërt.
Ky burim thotë se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese do të hapte rrugë përfundimisht për çdo rast, ndërsa një rezolutë e Kuvendit, do të ishte një precedent për raste të tjera, pasi sipas tij, Kuvendi i Kosovës po shndërrohet si vendi ku po fshihen njerëzit nën hetime prapa imunitetit.
Rasti i parë që EULEX-i kërkon ta zgjidhë është ai i deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj. Bazuar në disa dosje të ish-administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK, si dhe disa hetimeve shtesë të EULEX-it, Limaj dyshohet nga drejtësia e misionit të BE-së për krime lufte. Deputeti Limaj kishte fituar tashmë një betejë me këto akuza në procesin ndaj tij në Tribunalin e Hagës. Madje, edhe forma se si mendohet që Limaj të vihet para drejtësisë u ngjason veprimeve që shfrytëzon Haga.
I njëjti burim thotë se taktika që EULEX-i dëshiron të përdorë në këtë rast është që të kryhet arrestimi dhe pastaj të fillojnë hetime shtesë dhe mbledhjen e dëshmive. Një veprim i tillë u ngjason atyre që aktualisht po bën Tribunali i Hagës ndaj Ramush Haradinajt. Dallimi është vetëm vendi se ku po zhvillohen proceset.