E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i dështoi në luftimin e korrupsionit dhe krimit

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit ( EULEX), po kritikohet për shkak të mungesës se rezultateve në luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Fokusimi i EULEX-it në hetimin e krimeve të luftës, duke injoruar luftimin e krimit dhe korrupsionit, është duke u vlerësuar i paarsyeshëm.

Ndonëse është prezent për më se katër vjet në Kosovë, misioni evropian për sundim të ligjit, EULEX, kritikohet për rezultatet e arritura.

Ky mision nuk ka arritur t’i përmbushë pritjet e qytetarëve në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, raporton KTV.

Përveç rezultateve të munguara, EULEX-i po kritikohet se ka keqkuptuar misionin, duke u fokusuar në hetimin e krimeve të luftës.

Xhelal Sfeçla i “Vetëvendosjes” e quan të pakuptimtë faktin se EULEX-i nuk e ka parësor sundimin e ligjit.

Sfeçla ka thënë se EULEX-it nuk do të duhej t’i jepeshin autorizime ekzekutive, pasi, sipas tij, amniston institucionet tona, të cilat, sipas tij, vazhdimisht thirren në kompetencat e EULEX-it.

Rezultatet e EULEX-it i quan të kufizuara edhe Florian Qehaja.

Ai mendon se EULEX-i është në krizë sa i përket rezultateve dhe aktivizimi i këtij misioni në këtë kohë vjen si pasojë e mbikëqyrjes së punës operative nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, i pyetur nëse duhet rishikuar mandatin e EULEX-it pas arrestimeve të fundit të ish-komandantëve të “Grupit të Drenicës”, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet të veprohet në afekt.

EULEX-i ka ngritur aktakuza ndaj disa ish-komandantëve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

EULEX-i ka akuzuar për krime të luftës deri tashti ish-komandantin Famir Limaj dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij, “Grupin e Llapit” të prirë nga Rrustem Mustafa dhe së fundmi edhe “Grupin e Drenicës”, duke përfshirë Sami Lushtakun dhe ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›