EULEX i dorëzon Kosovës librin e parë të regjistrit civil
Zëvendës-shefi i EULEX-it, Endi Sparks i ka dorëzuar zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, kopjen e parë të certifikuar të librave të regjistrit civil. Sipas zyrës për Informim të EULEX-it këto dokumente, që u përkasin komunave të Janjevës dhe Lipjanit përmbajnë çertifikatat e lindjes.
Misioni evropian për sundimin shpjegon se dokumentet janë çertifikuar me 6 dhjetor, si pjesë e marrëveshjes së arritur më 2 korrik 2011 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
Pritet që pas zbatimit në tërësi kjo marrëveshje të kontribuojë në krijimin e Regjistrit Civil të qëndrueshëm dhe të besueshëm në Kosovë siç parashikohet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe do të shërbejë si një pikësynim i ardhshëm në udhërrëfyesin për hapjen e dialogut për vizat.
“Ky është një shembull i mirë i përfshirjes së EULEX-it në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura me anë të Dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga Brukseli. Mbetet edhe shumë për t`u bërë, por procesi tani po ecën përpara dhe EULEX-i i inkurajon të dyja palët që të vazhdojnë, të bindur për rezultatet pozitive”, tha pas dorëzimit të dokumenteve, zëvendësshefi i EULEX-it Endi Spark.