E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i heton më pak

Hetuesit e EULEX-it kanë hequr dorë nga hetimi i njërës prej dy çështjeve për të cilat disa ditë më parë ata bastisën zyrat e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Burime të besueshme të Expressit kanë mësuar se tashmë EULEX-i ka pushuar së hetuari kontratën ndërmjet menaxhmentit të PTK-së dhe Universitet KENT të Anglisë.

Sipas këtij zyrtari, tashmë hetuesit e EULEX-it, pas rishikimit të të gjitha dokumenteve në lidhje me këtë kontratë, kanë hequr dorë nga hetimet, me arsyetimin se për nënshkrimin e saj janë respektuar të gjitha procedurat e tenderimit.

“Dyshimet kanë qenë se një staf prej 45 vetash nuk kanë shkuar fare për trajnim në këtë Universitet, se kanë udhëtuar me aeroplan privat dhe se nuk kanë pasur fare viza”, sqaron burimi i Expressit, i afërt me hetimet.

“EULEX-i ka rishikuar komplet dosjen dhe është bindur se të 45 personat kanë vijuar trajnimin dhe se gjithçka është në rregull sa u përket procedurave të tenderimit ”, thotë ky burim.

Ai më tej sqaron se stafi prej 45 personash i PTK-së ka udhëtuar drejt Universitetit KENT, ku sipas marrëveshjes, kanë qëndruar 21 ditë.

“I gjithë ky projekt ka kushtuar 270 mijë euro. Secili person është paguar nga 6 mijë euro, duke përfshirë udhëtimin, ushqimin, fjetjen dhe trajnimin”, citon burimi, të dhëna nga marrëveshja e nënshkruar me këtë universitet.

“Zyrtarë të EULEX-it janë bindur se oferta e Universitetit KENT ka qenë më e lira dhe se janë respektuar të gjitha procedurat”, rrëfen burimi i gazetës.

Një numër i madh policësh të EULEX-it, ditë më parë kanë bastisur Postë-Telekomin e Kosovës si dhe pesë lokacione të ndryshme në Pejë, duke përfshirë këtu zyrat e Devolli Group nga Peja.

Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se bastisja është kryer nën dyshimin e nënshkrimit në mënyrë të paligjshme të licencës për operatorin e rrjetit virtual mobil, në këtë rast Z- Mobile.

Ndërkohë, në konferencë për media, drejtori ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha kishte thënë të njëjtën ditë se EULEX-i është duke hetuar edhe lidhur me marrëveshjen me Universitetin KENT në Angli.

Zyrtarë të EULEX-it i kanë marrë të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me këto dy kontrata, ku kontratën me telefoninë mobile Z- Mobile e kanë cilësuar si “zgjidhje” e dëmshme”.

Përveç kësaj, sipas burimeve të gazetës, zyrtarë të EULEX-it kanë kërkuar të sqarohet edhe ndërrimi i titullarit apo emrit të kompanisë që ka nënshkruar kontratën për operatorin e rrjetit virtual mobil (MVNO) Dardafon.

Sipas burimeve të Expressit, ndërrimi i emrit të kompanisë është bërë një muaj para se të shkruhet kontrata mes PTK-së dhe kompanisë Dardafon.

Dyshohet se për ndërrimin e emrit nuk është fajtor menaxhmenti i PTK-së, por në këtë rast, përgjegjësia duhet të kërkohet në Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit- ART.

Gazeta ka siguruar një dokument nga ART-ja që mban datën 10 dhjetor 2008, ku shihet se kompania ka ndryshuar emrin nga Dardafon L.L.C në Dardafon.net, me kërkesën përfaqësuesve të kompanisë

“Dardafon.net L.L.C. do t`i mbart të gjitha të drejtat dhe detyrimet, të cilat i kanë takuar kompanisë Dardafon L.L.C”, thuhet në pikën tre të këtij vendimi.

Kështu, sipas burimit shumë të besueshëm të gazetës, aktualisht, hetuesit e EULEX-it janë duke hulumtuar vetëm fitimin e përqindjes ndërmjet PTK-së dhe Dardafonit, e që në këtë rast, është 78 për qind e fitimit për kompaninë telefonike Z- Mobile dhe 22 për qind për PTK-në.

Shyqri Haxha, drejtor ekzekutiv i PTK-së, ka deklaruar për media se Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie publike, gjatë muajve qershor – dhjetor 2008, ka formuar disa grupe punuese të ekspertëve të fushave përkatëse të diskutojnë modalitetet për operatorin e rrjetit virtual mobil.

“Komisioni ka bërë raportin dhe në bazë të atij raporti ka vendosur Bordi i PTK-së për zgjidhjen e MVNO-së. Në komision kanë qenë Genc Lami- legale, Burim Karahoda- teknikë dhe Afrim Bejtullahu- komercialo-financiar”, është shprehur Haxha.

Ai ka sqaruar se të gjitha procedurat dhe modalitetet për MVNO-në janë kryer nga komisioni për këtë çështje dhe Bordi i Drejtorëve i PTK-së.

Sipas dokumenteve në PTK, del se Haxha është punësuar në këtë kompani, diku nga mesi i dhjetorit të vitit 2008, ndërsa kontrata është nënshkruar me Dardafon.net më 16 janar 2009.

Bazuar në hierarkinë e PTK-së, aprovimi i kontratës është bërë nga Bordi i Drejtorëve, ndërkohë që nënshkrimi është bërë nga Shyqri Haxha.

Madje, për nënshkrimin e kësaj kontrate ndërmjet PTK-së dhe Dardafon.net, kanë qenë të njoftuar edhe Ministria e Ekonomisë dhe Financave si aksionare e PTK-së dhe Qeveria e Kosovës.

Ndërkohë, zyrtarë të EULEX-it nuk kanë komentuar në lidhje me heqjen dorë nga ana e policëve të këtij misioni, në hetimin e marrëveshjes PTK-Universiteti KENT.

“EULEX-i nuk komenton rrjedhën e hetimeve, sepse ato janë konfidenciale”, thotë Blerim Krasniqi, zyrtar për media në EULEX.

Ndërkohë, Menduh Abazi, drejtori i Zyrës për Informim në PTK, ka thënë se EULEX-i është interesuar për këto raste dhe se, sipas tij, menaxhmenti i PTK-së këto çështje i ka dorëzuar muaj më parë në EULEX.

“EULEX-i është interesuar për këto raste dhe më herët i ka marrë të gjitha informatat e nevojshme nga menaxhmenti i PTK-së. Këto raste janë dorëzuar shumë më herët sesa urdhri që është dhënë për kontrollin e PTK-së”, është shprehur Abazi për Express.

Ai ka thënë se menaxhmenti i PTK-së ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë për të gjitha rastet, e në veçanti për gjashtë rastet që menaxhmenti i PTK-së i k dorëzuar në EULEX.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›