E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i i padëshiruar në veri të Kosovës

Zubin Potoku është gdhirë sot me pamflete të Shoqatës së Bizneseve të këtij qyteti, të cilat EULEX-in e kanë shpallur “persona non grata”.
Në pamfletin e siguruar nga “Koha”, thuhet se “EULEX-i me punën e vet ka dalë jashtë asaj që është deklaruar sa i përket statusit të Kosovës, se do të jetë neutral dhe kështu ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke tentuar që serbët në veri të Kosovës t`i paraqesë si kriminelë, pasi që ata nuk duan t`ia paguajnë tatimin dhe doganën të ashtuquajturës Republikë e Kosovës”.

“EULEX-i haptas ka dalë në anën e institucioneve të të ashtuquajturit shtet i Kosovës. EULEX-i në pjesën veriore të Kosovës ka shkelur të drejtat e njeriut, lëvizjen e lirë si dhe të drejtën në punë. EULEX-i në mënyrë të njëanshme po bën presion mbi serbët në mënyrë që ata të integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në këto pamflete.

Mësohet se në Zubin Potok është mbajtur një takim i strukturave paralele serbe, nën drejtimin e Radenko Nedelkoviçit, dhe të të ashtuquajturve udhëheqës të komunave serbe në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga Shoqata e Bizneseve që të dalin me këto pamflete dhe të shpallin EULEX-in si “persona non grata”.

Po këto burime kanë theksuar se më 15 mars, në Zubin Potok, është caktuar të mbahet një takim tjetër, në të cilin strukturat paralele serbe, të kryesuara nga i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviç.

Në këtë takim pritet që të marrin vendim kundër patrullave të përbashkëta të policisë, si dhe të kërkojnë heqjen e pikave kufitare si dhe shpalljen në tërësi të pjesëtarëve të EULEX-it në veri “persona non grata”. Në të kundërtën ata theksojnë se për incidente ndaj pjesëtarëve të EULEX-it nuk do të marrin kurrfarë përgjegjësie.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›